Një grua 33-vjeçare nga Vushtrria është detyruar të kërkojë ndihmën e Policisë, pasi, sipas denoncimit të saj, bashkëshorti e kishte sulmuar fizikisht, duke e goditur me grushte e shuplaka, duke e tërhequr për flokësh dhe duke e kapur për fyti. Pas incidentit, gruaja është larguar nga shtëpia, ndërsa bashkëshorti, të cilin Policia fillimisht nuk kishte arritur ta gjente, është paraqitur vetë në stacion një ditë më vonë dhe është ndaluar për 48 orë.
Burimet bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur të enjten, më 5 nëntor 2026, rreth orës 21:40, në rrugën “Sali Muzaqi” në Vushtrri.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Xh.P. (33) ka deklaruar se ishte duke qëndruar në dhomë me bashkëshortin e saj, T.V. (44), kur ai dyshohet se e kishte sulmuar fizikisht.
Gruaja ka rrëfyer se bashkëshorti e kishte goditur me grushte dhe shuplaka, e kishte tërhequr për flokësh dhe e kishte kapur për fyti, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Incidenti është raportuar në Polici rreth orës 21:45, pas së cilës njësitë policore kanë nisur kërkimet për të dyshuarin.
Megjithatë, gjatë veprimeve fillestare, zyrtarët policorë nuk kishin arritur ta gjenin.
Ndërkohë, 33-vjeçarja, me kërkesën e saj, ishte larguar nga shtëpia. Ajo ishte shoqëruar nga kunati, vëllai i bashkëshortit, për të qëndruar te familja e tij në Prishtinë.
Për rastin është njoftuar Prokuroria e Shtetit, ndërsa procedura është iniciuar për veprën penale “Dhuna në familje”.
Paraqitet vetë në Polici, ndalohet për 48 orë
Një ditë pas incidentit, të premten, më 6 nëntor, rreth orës 13:00, i dyshuari është paraqitur në Stacionin Policor në Vushtrri.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ai është intervistuar nga hetuesit në praninë e avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Pas intervistimit, Prokuroria e Shtetit ka nxjerrë vendim për ndalimin e tij.
Me këtë vendim, 44-vjeçari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për sqarimin e rrethanave të dhunës së denoncuar.
Rasti mbetet në trajtim nga sektori përkatës i hetimeve për dhunë në familje.
I dyshuari gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.








