Disa thonë se Fahrudin Jusufi nuk ka qenë kurrë i interesuar të drejtonte klubin e futbollit Prishtina.
Mirëpo, në një intervistë të publikuar në gazetën “Rilindja” me 4 shtator të vitit 1989, kishte thënë se është i dëshpëruar me kryesinë e Prishtinës.
Është folur e shkruar se do të vini në krye të Prishtinës, – nisën bisedën…
“Ka pasur shumë fjalë, madje dhe është shkruar se do ta marr Prishtinën. Por, unë zgjodha Çeliku, nga fakti se Prishtina e Zenicës kanë diçka të përbashkët. E kjo është se këto dy qytete janë dy vatra të mëdha talentesh në Jugosllavi.
E zgjodha Zenicën kurse e ardhmja do të dëshmojë se e kam pasur të drejtë apo jo”, ka thënë Jusufi.
Ishit edhe në Prishtinë, keni biseduar, mirëpo nuk arritët marrëveshjen me udhëheqjen e atëhershme të skuadrës?
“Është e vërtetë se kam ardhur në Prishtinë, jo vetëm për të parë skuadrën e saj, por edhe për të biseduar rreth mundësisë që ta marr skuadrën.
Mirëpo, ish-udhëheqja e saj pa masë më dëshpëroi, si me sjellje joserioze, ashtu edhe me qëndrimet e saja. Njëri nga anëtarët e udhëheqjes (gjatë qëndrimit tim) thoshte se kemi nevojë për ju.
Nuk kalonte shumë kohë e vinte tjetri duke thënë të kundërtën e tij, e kështu me radhë! Menjëherë kuptova se diçka në radhët e skuadrës që aq shumë e çmoja, nuk është në rregull dhe sa më parë (i dëshpëruar) u ktheva për Beograd. Bile me një përfundim se ata jo…”, kështu ka thënë Jusufi në intervistën për gazetarin M. Alaj.
Çka mendoni për lojën e tashme të Prishtinës?
“Kujtoj se Prishtina ka ruajtur një numër të mirë lojtarësh me përvojë dhe ç’është më kryesore, ajo ka disa lojtarë të rinj dhe me perspektivë, si Sunaj Keçin, Ardian Koznikun… Madje, ky i fundit, mendoj se është lojtari më i mirë në Ligën e dytë federative.
Me atë që tregoi Ardiani në Zenicë, do të jetë një yll i ri në futboll. Sidoqoftë, Prishtina, ashtu si e pashë në këtë ndeshje, nuk është më e dobët se në vitin e kaluar. Përkundrazi, është më e fortë dhe më e përgatitur.
Sipas bindjes sime, ka gjasa të luftojë për plasman të mirë. Me një kusht, që të ketë fat, sikur pati fat në ndeshjen me Çelikun në Zenicë”, kishte thënë Jusufi pas fitores së Prishtinës në Zenicë me rezultat 3:1 ndaj Celikut.








