Ëmbëlsirat e tij i pëlqente edhe Mbreti me origjinë shqiptare i Egjiptit: Historia e zviceranit Giacomo Groppi

Shkruan: Enver Robelli

Nga një fshat zviceran në zemër të Egjiptit: Giacomo Groppi me dekada ëmbëlsoi elitat e Egjiptit dhe la një trashëgimi të gërshetimit kulinarik dhe kulturor. Në lokalin e tij në zemër të Kajros u zhvillua një pjesë e historisë së Egjiptit.

Rovio është një fshat i vogël zviceran me rreth 750 banorë në kantonin e Tiçinos. Rrugica të ngushta të shtruara me kalldrëm, burime uji, fasada historike, pallate dhe pamje mbi liqenin magjik të Luganos. Kush do të donte të largohej nga këtu?
Giacomo Groppi u largua në fund të shekullit të 19-të, sepse atëbotë Zvicra nuk ishte e pasur siç është sot. Para se të merrte rrugën e mërgimit, ai kreu zanatin e pastiçierit në Lugano.

Tiçinezët janë tetovarët e Zvicrës. Groppi u vendos në Aleksandri, ku më 1890 hapi kafenenë e tij të parë. Pasi bëri emër aty me ëmbëlsirat e tij – kroasntë, akullore e çokollata – ai shkoi në Kajro dhe hapi një tjetër pikë. Biznesi po i ecte mjaft mirë. “Maison Groppi” u bë adresa e preferuar e elitës së Egjiptit. Politikanë, pashallarë, tregtarë e ushtarakë britanikë – të gjithë vinin te “Groppi” për çaj, kafe dhe ëmbëlsira. Anëtarët e shtëpisë mbretërore, të cilët, siç dihet, ishin me origjinë shqiptare, i porosisnin ëmbëlsirat te zvicerani i famshëm i Kajros.

Mbreti Faruk i shijoi këto specialitete po aq sa edhe presidentët e mëvonshëm (Naseri, Sadati dhe Mubaraku). Por te “Groppi” nuk prodhoheshin vetëm ëmbëlsira; aty njerëzit thurnin plane për revolucione, grindeshin për politikë, binin në dashuri ose ndaheshin. Në filmin “Pacienti anglez”, çifti i dashuruar ndahet pikërisht në kopshtin e Groppit.

Café Groppi në Sheshin Talaat Harb në Kajro

Ky lokal, pa dëshirën e pronarëve, u bë pjesë edhe e turbullirave politike të Egjiptit. Më 26 janar 1952, turma të mllefosura, të cilat protestonin kundër pranisë britanike dhe përbuznin Mbretin Faruk, sulmuan kafenenë “Groppi” në qendër të Kajros. E plaçkitën dhe e dogjën, sepse e shihnin si simbol të të huajve. Megjithatë, egjiptianët nuk u ndanë nga ëmbëlsirat e familjes Groppi. Kur më 1971 u përurua diga e Asuanit, 1000 mysafirët e ftuar u shërbyen me produktet e Groppit, të cilat transportoheshin me avionë ushtarakë dhe me anije.

Nga shekulli i 19-të, në Egjipt u vendosën shumë zviceranë; disa prej tyre dominuan prodhimin dhe eksportimin e pambukut. Zviceranët madje kishin në Kajro një klub të vetin, të cilin e vizitonte edhe Mbreti Faruk, i cili erdhi në pushtet më 1936. Farukut i pëlqente të luante me birila (bowling).

Më 1952 ai u rrëzua nga froni. Një pjesë e madhe e popullsisë e perceptonte atë si marionetë të Perëndimit dhe u zemërua sidomos për shkak të stilit luksoz të jetës që celebrohej nga Faruku, ndërkohë që varfëria në vend bënte kërdi. Si pothuajse të gjithë despotët, edhe Farukut i pëlqente Zvicra: si vend për të ruajtur paratë dhe St. Moritzi si destinacion turistik për sportet dimërore.
Për të kujtuar gjurmët e zviceranëve në Egjipt, ambasada e Zvicrës ka krijuar një aplikacion që të shpie te varri i orientalistit të famshëm Johann Ludwig Burckhardt. Ai njihet si zbuluesi i qytetit antik të Petrës në Jordani (më shumë për Burckhardtin në fund të këtij teksti). Një atraksion tjetër është libraria “Lehnert & Landrock”, ndër më të bukurat e Kajros, për disa dekada në pronësi të zviceranit Kurt Lambelet.

“Maison Groppi” është pjesë e historisë dhe nostalgjisë së shumë njerëzve. Gazeta “Arab News” citon arkitektin Shafik Nakla: “Vinim çdo mëngjes te kopshti i Groppit gjatë viteve 50-të për të ngrënë krosantë të freskët. Ende e mbaj mend shijen. Produktet e Groppit ishin më të mira se ato në Paris në atë kohë. Askush nuk mund të konkurronte me të. Shihnim klasën aristokrate që zbriste nga makinat Rolls-Royce ose Cadillac me kapele dhe kravatat më të mira. Gratë mbanin fustane të jashtëzakonshme.”

Këtu lexonte shtypin edhe shkrimtari Nagip Mahfuz, fitues i çmimit Nobel. Mahfuz i qëndroi besnik metropolit të Egjiptit, rrugicave dhe legjendave të tij. Ai u shqua për angazhimin për tolerancë dhe kritikoi fundamentalizmin, gjë që i kushtoi një sulm me thikë më 1994. Te Groppi, Mahfuz gjente një simbiozë mes Orientit dhe Oksidentit.

Groppi nuk ishte vetëm një kafene. Familja menaxhonte ferma e fabrika; 500 krerë lopë zvicerane kullotnin në një ishull të Nilit. Me qumështin e tyre bëhej ajka që zbukuronte tortat e dasmave me deri në nëntë kate. Në fillim të viteve 1980-të familja Groppi ia shiti biznesin një sipërmarrësi egjiptian.

Johann Ludwig Burckhardt

Siç premtova më lart, në vijim disa të dhëna për Johann Ludwig Burckhardt dhe lidhjet e tij shqiptare. Johann Ludwig Burckhardt (1784-1817) ishte pinjoll i një familjeje fisnike zvicerane nga Baseli. Ai rizbuloi qytetin shkëmbor Petra në Jordani, u konvertua në mysliman duke marrë emrin Sheik Ibrahim, mësoi arabisht dhe u bë shok i Mehmet Ali Pashës, sundimtarit me origjinë shqiptare të Egjiptit. Në veprat e tij Burckhardt veçon dy tipare të shqiptarëve: ndjenjën patriotike vetëm ndaj atdheut të tyre dhe jo ndaj Perandorisë Osmane dhe mungesën e fanatizmit fetar.

Johann Ludwig Burckhardt u lind më 25 nëntor 1784 në Lausanne të Zvicrës. Duke qenë se i ati i tij ishte kundërshtar i Napoleonit, Burckhardt vendosi të vihet në shërbim të African Association for the Discovery of the Interior Parts of Africa, një organizatë britanike. Në Maltë Burckhardt ndërroi emrin dhe veshjen dhe vazhdoi udhën drejt Sirisë. Në qytetin e Halepit përsosi gjuhën arabe. Nga Siria ndërmori udhëtime në vende të ndryshme të botës arabe.

Sipas historianit Muhamed Mufaku, shtegtari, antropologu, historiani, gjeografi dhe udhëpërshkruesi zviceran Johann Ludwig Burckhardt ishte dëshmitar i luftës së ushtarëve të Mehmet Aliut kundër vahabinjve në Arabinë Saudite, të cilët nuk e pranonin autoritetin e Sulltan Mahmutit të II-të, e refuzonin islamin osman dhe ndërprenë shkuarjen e besimtarëve në haxh.

Mes viteve 1812-1818 mijëra ushtarë me origjinë shqiptare, të gjithë nën komandën e Mehmet Aliut dhe djemve të tij Tosunit dhe Ibrahimit si dhe të Ahmet Agës, ushtarak shqiptar i njohur edhe me emrin Ahmet Bonaparti, luftuan vahabinjtë përkundër humbjeve të mëdha. Burckhardt veçon kontributin e shqiptarëve në këtë betejë kundër fanatikëve fetarë sauditë. Nga mesi i nëntorit 1812, për shembull, ushtarët shqiptarë vranë rreth 2000 vahabinj. Me kafkat e tyre Ahmet Bonaparti ndërtoi një kullë, siç dëshmon Burckhardt. Zvicerani i dashuruar në Orient njofton se Mehmet Aliu nuk e fliste mirë arabishten. Me fitoren kundër vahabinjve, Mehmet Aliu u bë një nga komandantët kyç të Perandorisë Osmane.

Gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” shkroi para disa vitesh se Burckhardt ishte 30-vjeçar, kur më 1814 u bë haxhi duke kryer ritet përkatëse në Xhaminë e Madhe të Mekës, në Malin e Arafatit dhe vende të tjera në Mekë. Ishte i veshur si arab dhe nuk binte në sy me atë rast. Emri i tij i ri dhe i plotë ishte: Sheik Ibrahim ibn Abdallah, fort i nderuari Ibrahim, i biri i Abdallahut.
Para se të vdiste më 1817, ai ua la të varfërve të Zürichut 1000 piastër nga trashëgimia e tij. Universitetit të Cambridge Burckhardt ia la krejt bibliotekën e tij me dorëshkrime arabe, persiane dhe turke. Burckhardt është i varrosur afër Portës së Qytetit Bab al-Nasr në Kajro.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit