Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kolumbinë, ku një grua 21-vjeçare, shtatzënë në muajin e tetë, është gjetur e vrarë me disa plagë nga thika, ndërsa foshnja që mbante në bark vazhdon të jetë e zhdukur.
Viktima, Maria Camila Potosi, u gjet më 20 korrik pranë lumit Melendez, në zonën La Buitrera të qytetit Cali. Sipas mediave kolumbiane, ajo kishte të paktën katër plagë me thikë, ndërsa dyshohet se foshnja i ishte nxjerrë nga barku.
E reja ishte raportuar e zhdukur katër ditë më parë. Ajo ishte parë për herë të fundit më 16 korrik, kur kamerat e sigurisë e filmuan duke u larguar me motoçikletë në shoqërinë e një gruaje.
Gruaja e filmuar dyshohet se ishte paraqitur në shtëpinë e familjes së partnerit të viktimës, duke u prezantuar si shoqe e saj.
Më 24 korrik, familjarët e së dyshuarës e dorëzuan atë tek autoritetet, pasi e njohën në pamjet e publikuara.
Ish-partneri i saj, Carlos Rincon, deklaroi se ajo nuk ishte kthyer në shtëpi natën kur Potosi u zhduk dhe nuk u ishte përgjigjur telefonatave e mesazheve. Sipas tij, ajo ishte kthyer një ditë më vonë dhe ishte sjellë sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Ai pretendoi gjithashtu se gruaja e kishte gënjyer më parë se ishte shtatzënë, por autoritetet ende nuk kanë konfirmuar nëse ajo ka lidhje të drejtpërdrejtë me zhdukjen e foshnjës.
Komandanti i Policisë së Calit, Herbert Benavides, ka bërë të ditur se gruaja është vënë nën akuzë. Hetuesit dyshojnë se në krim mund të jenë përfshirë edhe të paktën katër persona të tjerë.
Kryebashkiaku i Calit, Alejandro Eder, ka ofruar shpërblim prej 200 milionë pesos kolumbiane, rreth 63 mijë dollarë, për informacione që çojnë në identifikimin dhe arrestimin e përgjegjësve.
Prokuroria po e heton rastin për zhdukje me forcë, torturë të rëndë, fshehje të provave dhe vrasje të rëndë. Deri më tani nuk ka informacione zyrtare për vendndodhjen apo gjendjen e foshnjës.








