Prezantuesja televizive egjiptiane Sarah Khalifa është dënuar me vdekje me varje, së bashku me 11 persona të tjerë, në një prej rasteve më të mëdha të trafikut të drogave sintetike në Egjipt.
Vendimi u dha nga Gjykata Penale e Kajros më 5 shtator, pasi Khalifa dhe të pandehurit e tjerë u shpallën fajtorë për krijimin e një grupi të organizuar kriminal që dyshohet se merrej me sjelljen e lëndëve të para, prodhimin dhe trafikimin e drogave sintetike. Ata u dënuan gjithashtu për posedim të armëve të zjarrit dhe municionit pa leje.
Gjatë procesit, Khalifa shpërtheu në lot dhe kërkoi mëshirë nga gjykata, ndërsa vazhdoi të mohojë përfshirjen në aktivitetet e paligjshme.
Në një video që qarkullon nga seanca, ajo dëgjohet duke thënë: “Nuk kam pirë kurrë cigare në jetën time. Betohem në Zotin e Plotfuqishëm se më është bërë padrejtësi.” CNN raportoi se nuk ka qenë në gjendje ta verifikojë në mënyrë të pavarur videon.
Khalifa ka folur edhe për gjendjen e saj shëndetësore gjatë gjyqit. Në një seancë të mëhershme, ajo deklaroi se kishte tumor dhe gjakderdhje dhe kërkoi që të dërgohej për ekzaminim mjekoligjor.
Prokuroria pretendoi se grupi kishte krijuar një rrjet të organizuar për importimin e substancave që përdoreshin për prodhimin e drogave sintetike. Autoritetet thanë se gjatë hetimeve u sekuestruan më shumë se 750 kilogramë drogë sintetike dhe lëndë të para, ndërsa dy apartamente dyshohet se ishin përdorur si ambiente për ruajtjen dhe prodhimin e tyre.
Provat e paraqitura nga prokuroria përfshinin dëshmi të 20 dëshmitarëve, si dhe mesazhe, fotografi dhe video që, sipas autoriteteve, dokumentonin aktivitetet e të pandehurve.
Në të njëjtin proces, nëntë të pandehur të tjerë u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa shtatë u shpallën të pafajshëm.
Para shqiptimit të dënimit me vdekje, çështja iu dërgua edhe Myftiut të Madh të Egjiptit për mendim fetar, një procedurë e detyrueshme në rastet e dënimeve kapitale. Mendimi i Myftiut nuk është vendimi përfundimtar i gjykatës.
Khalifa, e cila është 39-vjeçare dhe njihet në Egjipt për programin televiziv “Mission Impossible”, i ka mohuar akuzat që prej arrestimit në prill të vitit 2025. Avokati i saj ka bërë të ditur se mbrojtja synon ta apelojë vendimin.
Pavarësisht dënimit të rëndë, vendimi nuk është ende përfundimtar, pasi rasti mund të shqyrtohet nga instancat më të larta gjyqësore.








