Policia e Kosovës ka arrestuar një person, i cili dyshohet se përmes kompanive të tij janë pastruar para në vlerë mbi 2 milionë euro.
I njëjti, bashkë me pesë të tjerë, dyshohen për mashtrime me avio-bileta ndaj shtetasve të Kosovës nga viti 2015 deri në vitin 2019.
“Policia e Kosovës gjatë punës hetimore ka arritur të siguroj dëshmi se njëri nga të dyshuarit i cili ka qenë në aktivitete të kundërligjshme që lidhen me mashtrime në shitjen e avio-biletave, po ashtu dyshohet se ka qenë i përfshirë në pastrimin e parave përmes kompanive të kontrolluara prej tij. Kompanitë e përdorura për këtë skemë kanë rezultuar se janë në pronësi të të dyshuarit i cili është arrestuar. Vlera totale e parave që dyshohet se janë pastruar përmes kompanive tejkalon shumën prej 2,000,000.00 euro (dy milion euro)”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, nga hetimet financiare rezulton se vetë i dyshuari po ashtu ka kryer deponime në para të gatshme mbi 800 mijë euro për të cilat nuk është dëshmuar prejardhja e tyre dhe të njëjtat nuk janë justifikuar me aktivitetin ekonomik të deklaruar.
Lidhur me rastin pas intervistimit të personit të dyshuar në prezencën e avokatit mbrojtës, ndaj të njëjtit prokurori ka lëshuar vendim për ndalim prej 48 orësh.









