Një rast i dyshuar i kanosjes ndaj kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka përfunduar me ndalimin e një 48-vjeçari në Aeroportin e Prishtinës. I dyshuari ishte shpallur në kërkim policor pas dyshimeve se e kishte kërcënuar Lladrovcin gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Dega në Drenas.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, bëhet fjalë për Blerim Sinanin, 48 vjeçar, i cili dyshohet se më 7 shtator 2026 kishte kanosur kryetarin e Drenasit gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore.
Rasti është iniciuar zyrtarisht më 11 tetor nga Njësia e Hetimeve në Prishtinë, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Pas veprimeve fillestare hetimore, me udhëzim të Prokurorisë, Sinani ishte vendosur në kërkim policor me qëllim sigurimin e pranisë së tij për intervistim.
Të enjten, më 12 nëntor, i dyshuari është ndaluar nga Policia Kufitare në Aeroportin e Prishtinës.
Pas ndalimit, ai është shoqëruar në zyrat e njësisë hetimore në Prishtinë, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, 48-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti po trajtohet për veprën penale “Kanosja”









