Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj F.B., i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, duke privuar nga jeta nënën e tij, T.B.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria, ngjarja ka ndodhur më 20 janar 2026, në fshatin Restelicë të Komunës së Dragashit.
I pandehuri, sipas aktakuzës, dyshohet se pas një fjalosjeje me nënën e tij e ka sulmuar fizikisht atë, duke e goditur me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit.
Si pasojë e lëndimeve të rënda, viktima dyshohet se ka pësuar shok traumatik dhe ka vdekur në vendin e ngjarjes.
Pas ngjarjes, sipas aktakuzës, F.B. e ka vendosur trupin e nënës së tij në një divan dhe e ka mbuluar me batanije. Trupi më pas është gjetur nga të afërmit, të cilët kishin shkuar në shtëpi të shqetësuar për gjendjen e saj.
Në kuadër të procedurës, i pandehuri i është nënshtruar ekzaminimit psikiatrik dhe psikologjik hospitalor në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës.
Sipas rezultateve të ekzaminimit, në momentin e kryerjes së veprës penale, aftësia e tij për të kuptuar veprimet dhe për t’i kontrolluar ato ka qenë e zvogëluar në shkallë jo esenciale.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, F.B. të shpallet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet dhe të dënohet sipas ligjit.








