Hysen Durmishi nuk i ka arritur votat e mjaftueshme për të siguruar ulëse në kuvend.
Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nuk ndodhet në mesin e 50-shes së kandidatëve më të votuar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje.
‘De facto’ udhëheqësi i dikasterit të infrastrukturës në MMPHI, ndodhej i 73-ti në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Durmishi nuk është e vetmja figurë nën zë e qeverisë, që duket se do të mbesë jashtë kuvendit në legjislaturën e re.
Edhe një ministër e dy zëvendësministra të tjerë të Qeverisë Kurti nuk ndodhen as në 50-shen e kandidatëve më të votuar të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 9 shkurtit, siç raportoi Paparaci të mërkurën.
Numërimi i rreth 75 për qind të votave të kandidatëve për deputet, ka zbuluar numrin e votave dhe renditjen në listën e Lëvizjes Vetëvendosje. Aty ndodhen figurat e reja të Vetëvendosjes, këngëtarja Edona Llalloshi, trajneri Bylbyl Sokoli dhe analisti Nezir Kraki.
Por, jashtë kuvendit – aktualisht – pritet të mbesin ministrja Rozeta Hajdari dhe zëvendësministrat, Blerim Gashani e Daulina Osmani.









