Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre.
Një rast i tillë është raportuar në Graçanicë, ku viktimë është një grua 47-vjeçare, e cila ka denoncuar ish-bashkëshortin e saj.
Më 26 gusht rreth orës 14:30, në Stacionin Policor të Graçanicës është paraqitur S.V., rreth 47-vjeçare, e cila ka deklaruar se është përballur me vite të tëra të dhunës psikologjike dhe fizike nga bashkëshorti i saj, L.M.
Ajo ka rrëfyer se marrëdhënia e tyre ka përfunduar para 5-6 ditësh me divorc, por se përndjekja e tij nuk ka pushuar. Viktima ka deklaruar se i dyshuari e ka shqetësuar me mesazhe të vazhdueshme, e ka ndjekur dhe akuzuar për tradhti, duke e ekspozuar në presion të vazhdueshëm. Ajo ka pohuar se i dyshuari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe ka shfaqur sjellje kërcënuese, ndërsa në të kaluarën kishte ushtruar detyrim ndaj saj edhe pas një operacioni që ajo kishte kryer.
Policia e ka kontaktuar të dyshuarin, i cili ka deklaruar se ndodhej në Serbi dhe se do të paraqitej në polici pas kthimit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar si “Dhunë në familje”, sipas nenit 248 të Kodit Penal të Kosovës.









