Aktivistja Liridona Sijarina nga “Kolektivi Feminist” ka renditur kërkesat drejtuar institucioneve të drejtësisë dhe Qeverisë së Kosovës, duke paralajmëruar se protestat për vrasjen e Arlinda Zekajt do të vazhdojnë dhe do të përshkallëzohen.
“Këtij shteti kemi me iu kundërvu. Protestat e tona nuk kanë me u ndalë natë e ditë, kanë me u përshkallzu. Nuk mundemi me pritë që ky shtet me na qitë hi syve. Me na shpartallua e mos me mujt me i bo bashkë dy veta, kur duhet me e ngritë zërin për gra”, ka thënë Sijarina.
“Ne ultimatumin e kemi dhanë, çka po presim sot është me i numëru kërkesat tona edhe me i dhënë përgjigje secilës kërkesë. Duam burgime, duam llogari, duam që trupat tonë të trajtohen me dinjitet”, ka shtuar ajo.
“Për ma pak se dy muaj, katër gra të kësaj republike janë vra. Nuk mjaftojnë e as nuk e dojmë asnjë deklaratë boshe e asnjë lojë partiake. Ajo se çfarë ka ndodhë pardje, është ofendim për krejt ne, e për Arlindën”, ka deklaruar Sijarina.
Ajo ka përsëritur kërkesat e aktivistëve, të cilat, sipas saj, janë ngritur prej vitesh.
“Unë po i përsëris kërkesat që i kemi thanë që sa vjet. Kemi kërkuar ndjekje penale për kryeprokuror, e kryeprokurore, zyrtar të QPS-së, për kryegjyqtarë e për gjyqtarë që e kanë çu Arlindën në varr”, ka thënë ajo.
Duke iu drejtuar Qeverisë së Kosovës, Sijarina ka kërkuar shkarkimin e ministres Donika Gërvalla dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Qeverisë, që i tha Arlindës, pas vrasjes, që s’ka ditë ku me lypë ndihmë, ne i themi që qat ministre edhe ministrin e Punëve të Brendshme duheni me i shkarku, ose kemi me ju shti me shkarku”, ka theksuar aktivistja.
Në fund, Sijarina ka paralajmëruar se protesta para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës do të vazhdojë edhe gjatë natës.








