Dëshmitari Mirlind Zeqiri ka dëshmuar në seancën e rigjykimit ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e rëndë të të dashurës së tij, Maria Clara Urdangaray në një hotel në Fushë-Kosovë, më 1 gusht 2023,.
Gjatë dëshmisë, Zeqiri është përgjigjur në pyetjet e avokatit Tomë Gashi, mbrojtës i të akuzuarit Nika, lidhur me vendndodhjen e tij në natën kritike, kamerat e sigurisë në hotel dhe incizimet që kishte parë gjatë hetimeve.
Duke treguar se ku ndodhej në momentin e ngjarjes, Zeqiri tha se ishte duke fjetur në një dhomë hoteli, dy kate më lart se dhoma ku kishte ndodhur rasti.
“Momentin e rastit kam qenë në hotel, në dhomë dy kat më lartë se dhoma ku ka ndodhur rasti. Kam qenë fjetë. Mua më ka njoftuar djali i hallës, Fehmi Zabeli, i cili është përgjegjës i restorantit. Erza ka tentu me më telefonu, nuk e kam dëgju telefonin, pastaj më kanë thirrë te dera”, deklaroi Zeqiri.
I pyetur nga avokati Gashi nëse e kishte parë veten në kamerat e sigurisë gjatë natës kritike, dëshmitari tha se nuk i kujtohej një gjë e tillë.
“Kamerat nuk i mbaj mend, nuk më kujtohet që e kam parë veten në kamera natën kritike”, tha ai.
Sa i përket sistemit të kamerave në hotel, Zeqiri konfirmoi se kishte pasur kamera si brenda, ashtu edhe jashtë objektit, por jo në të gjitha hapësirat.
“Po, ka pasë edhe kamera jashtë edhe brenda. Vetëm korridoreve, jo shkallëve, nuk ka pasur, edhe brenda në lift nuk ka pasë”, tha dëshmitari.
I pyetur se sa kamera apo sekuenca kishte parë, ai u përgjigj:
“Saktë nuk e maj mend se sa sekuenca, kam parë tri apo katër kamera. E kam parë kamerën e jashtme, korridorit edhe të recepsionit”.
Avokati Gashi e pyeti Zeqirin edhe për deklarimet e tij në Prokurori, duke i vënë në dukje se atje kishte sqaruar vetëm për një kamerë.
Në përgjigjen e tij, dëshmitari shpjegoi se në gjykatë dhe në Prokurori ishte pyetur për pamjet e korridorit, ku kishte vërejtur lëvizjet e të akuzuarit.
“Në gjykatë dhe Prokurori jam pyetur për pjesën e korridorit. Aty e kam sqaru, i kam pa lëvizjet e Endritit, i cili ka lëvizë prej derës së dhomës deri te ashensori. Gjatë kohës sa i kemi tërheq incizimet, se a jemi duke i tërheq pjesën e duhur, më ka ra në sy lëvizjet e Endritit që i ka bërë nga dera e dhomës deri te ashensori”, deklaroi Zeqiri.
Gjatë seancës, Zeqiri u pyet edhe se kur kishte hyrë në dhomën ku kishte ndodhur ngjarja.
Ai tha se kishte hyrë pasi kishin përfunduar hetimet dhe ishin larguar shiritat policorë, rreth orës 10:00.
“Kur u rregullu dhoma, kur kanë përfundu hetimet pas ngjarjes. Ditën kur kanë përfundu hetimet, në ora 10:00. Janë largu shiritat kur kanë përfundu hetimet. Kam parë xhamin e thyer, i kam parë dëmet se çka janë shkaktu, i kam pas disa mjete të thyera, dëmtime në shtrat, në mure”, tha Zeqiri.
I pyetur pse mungojnë në video lëvizjet e Endrit Nikës që i përmendi më herët, Zeqiri tha se nuk e di arsyen, duke theksuar se incizimet ua kishte dorëzuar hetuesve në një USB.
“Unë nuk e di arsyen se pse mungon. Unë e di që incizimet i kam dërguar të gjitha me një USB, i kanë tërhequr hetuesit”, deklaroi Zeqiri.
Ai shpjegoi edhe se kur ishte bërë kërkesa nga Prokuroria për incizimet dhe kur ua kishte dorëzuar ato hetuesve.
“Më datën 3 më ka ardhë kërkesa nga Prokuroria. Në të njëjtën datë është bërë tërheqja nga DVR-i që ju tregova më herët. Të nesërmen në mëngjes i kam njoftu hetuesit se incizimet janë gati dhe mundën me ardhë me i tërheqë. Kanë ardhë brenda ditës edhe i kanë tërheqë me USB”, tha Zeqiri.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 shkurt 2026, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj Endrit Nikës, duke e dënuar me 18 vjet burgim. Megjithatë, Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e ka kthyer rastin në rigjykim.
Në seancën e 28 majit 2025, i akuzuari ishte deklaruar i pafajshëm.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023, në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me të dashurën e tij, tani të ndjerën M.K-U., e kishte goditur atë në vazhdimësi dhe kishte tentuar ta shkelte me veturë në parkingun jashtë hotelit.
Sipas aktakuzës, pasi kishin hyrë në hotel, në dhomën ku po qëndronin, Nika kishte vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj saj, duke e dërguar në një qoshe të dhomës, prej nga ajo nuk kishte mundësi të largohej. Prokuroria pretendon se, si pasojë e goditjeve dhe shtyrjeve, ai e kishte nxjerrë kornizën e dritares dhe e kishte hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit, në katin e gjashtë.
E ndjera, sipas aktakuzës, kishte ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), si pasojë e lëndimeve të marra, pavarësisht trajtimit mjekësor.
Nika akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3, i Kodit Penal të Kosovës.








