Deputetja Llalloshi rrëfen dhimbjen për kushërirën e vrarë nga bashkëshorti: Edhe sa gra duhet të humbin jetën?

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Edona Llalloshi, ka folur me emocione për vrasjen e Arlinda Zekajt, duke rrëfyer edhe tragjedinë që kishte goditur familjen e saj në vitin 2008, kur kushërira e saj, mjekja Igballe Llalloshi, u vra nga bashkëshorti.


Gjatë seancës plenare të së enjtes, Llalloshi tha se, edhe pas 18 vjetësh, dhimbja për humbjen e kushërirës nuk është shuar.

Ajo kërkoi që vrasja e Arlinda Zekajt të shërbejë si pikë kthese në trajtimin institucional të dhunës ndaj grave, duke u bërë thirrje deputetëve që t’i lënë mënjanë dallimet politike dhe të bashkohen kundër kësaj dukurie.


“Vrasja e Arlindës duhet të na shërbejë si pikë kthese, edhe në momentet kur, përtej dallimeve politike që mund të kemi, pozitë-opozitë, duhet të bashkohemi kundër atyre burrave që e kanë kthyer dhunën në një mjet sundimi: ‘O do të më nënshtrohesh, o do të vdesësh’”, deklaroi ajo.

Llalloshi kujtoi se mjekja Igballe Llalloshi u vra nga bashkëshorti i saj në vitin 2008.

“E kush, nëse jo unë, ka arsye të flasë për këtë plagë? Në vitin 2008, kushërira ime, mjekja e respektuar Igballe Llalloshi, u vra nga bashkëshorti i saj. Edhe pse kanë kaluar 18 vite, për ne dhimbja nuk është shuar kurrë”, tha deputetja.


Ajo theksoi se dhuna ndaj grave nuk duhet të trajtohet vetëm përmes statistikave, pasi pas çdo viktime mbeten familje të shkatërruara dhe fëmijë që përballen me pasojat e tragjedisë gjatë gjithë jetës.

“Që nga paslufta, më shumë se 80 gra janë vrarë në Kosovë. Pas secilit prej këtyre numrave qëndron një jetë e shuar, një familje e shkatërruar dhe fëmijë që mbeten me plagë për gjithë jetën. Dhe sot duhet ta shtrojmë një pyetje: Edhe sa gra duhet të humbin jetën që ne të reagojmë me seriozitet?”, u shpreh ajo.


Gjatë fjalimit, Llalloshi kërkoi veprime konkrete nga institucionet, duke theksuar se nuk duhet pritur një tjetër tragjedi për të ndërmarrë masa.

“Koha është të veprojmë tani me vendosmëri dhe ta kthejmë dhimbjen në veprim dhe fjalën në përgjegjësi”, tha ajo.


Deputetja ngriti shqetësime edhe për funksionimin e Qendrave për Punë Sociale në 38 komunat e Kosovës. Sipas saj, shumë prej tyre përballen me mungesë të stafit, kapaciteteve profesionale dhe kushteve të përshtatshme të punës.

Ajo vuri në pikëpyetje edhe vendimin për decentralizimin e shërbimeve sociale dhe bartjen e përgjegjësive te komunat, pa u garantuar paraprakisht burimet dhe kapacitetet e nevojshme.

“A ka qenë vendim i drejtë decentralizimi i shërbimeve sociale dhe bartja e përgjegjësive te komunat, pa garantuar kapacitetet dhe burimet e nevojshme?”, pyeti Llalloshi.

Deputetja tha se shumë raste të dhunës mbeten të heshtura dhe nuk arrijnë as në vëmendjen e mediave, as në atë të institucioneve.

“Rasti i fundit dhe mijëra raste të dhunës, të heshtura e të padukshme, që nuk arrijnë asnjëherë në vëmendjen e mediave apo në këtë sallë të Kuvendit, na kujtojnë se sistemi i shërbimeve sociale ka nevojë për reformim rrënjësor”, u shpreh ajo.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit