Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka reaguar lidhur me zhvillimet politike dhe çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se asnjë nga kandidatët e LDK-së, por as nga subjektet e tjera politike, nuk ka arritur të marrë mbi 120 mijë vota.
Sipas Kërçelit, gjashtë kandidatët e parë të LDK-së, tre të parët e PDK-së, si dhe i gjithë grupi parlamentar i AAK-së, kanë marrë së bashku një numër votash që, sipas tij, është i krahasueshëm me numrin e votave të fituara nga kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për president, Glauk Konjufca.
Ai ka paraqitur edhe ofertën që, sipas tij, LVV-ja ua ka bërë subjekteve të tjera politike.
Postim i plotë:
Asnjëri nga kandidatët e LDK-së, po as nga subjektet e tjera, nuk i ka mbi 120,000 vota.
Bile, gjashtë të parët e LDK-së, tre të parët e PDK-së, si dhe i gjithë grupi parlamentar i AAK-së, kanë vota aq sa kishte i nominuari i Lëvizjes Vetëvendosje! për president, Glauk Konjufca.
Edhe pse ishte nominuar për president dhe pastaj u futëm në zgjedhje, përsëri Lëvizja Vetëvendosje! ka bërë koncesion, duke tërhequr një emër politik për të lënë hapësirë për një emër konsensual.
Cila është oferta e Lëvizjes Vetëvendosje!?
Për PDK-në: po e zgjedhim një president konsensual dhe kryetarin e Kuvendit për PDK-në. Njërën nga tri pozitat e larta të shtetit. Dhe gjatë votimit për president mund të votoni kundër, mirëpo merrni pjesë në formimin e institucioneve.
Për LDK-në, e cila me 30 deputetë kishte hyrë në qeverisje duke e dhënë edhe pozitën e presidentit, edhe kryeparlamentarit, zëvendëskryeministrin dhe tre ministra, ose kryetarin e Kuvendit e tri ministri, edhe pse sot i ka 18 deputetë. Po ashtu, edhe për deputetët e LDK-së: merrni pjesë në votim dhe votoni kundër.
Edhe LDK-ja, edhe PDK-ja po bëjnë thirrje për ta votuar kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët, edhe pse po refuzojnë ofertën për formimin e institucioneve.








