Demokracia nuk mbrohet me linçim politik

Nga Ismet Haziri

Në demokraci, dallimet politike nuk duhet të shndërrohen në urrejtje personale, e aq më pak në tentativa për linçim publik ndaj atyre që zgjedhin një rrugë tjetër politike. Sulmet e fundit ndaj deputeteve që kanë vendosur të mbajnë qëndrime të pavarura politike dhe të mos i nënshtrohen logjikës së uniformitetit partiak, janë një tregues shqetësues për nivelin e kulturës demokratike në vend.

Në çdo sistem demokratik serioz, deputeti nuk është pronë e partisë, por përfaqësues i qytetarëve dhe i bindjeve të veta politike. Pikërisht për këtë arsye, mospajtimi politik nuk duhet të trajtohet si tradhti, por si pjesë normale e pluralizmit demokratik. Demokracia forcohet kur ekziston guximi për të menduar ndryshe dhe për të mbrojtur një qëndrim, edhe atëherë kur kjo sjell kosto politike apo sulme publike.

Vjosa, Albena, Jeta dhe Haxhia po sulmohen jo pse kanë dëmtuar demokracinë, por sepse kanë refuzuar të heshtin dhe të dorëzohen para presioneve politike. Në vend të debatit racional mbi idetë dhe programet, ndaj tyre po ndërtohen narrativa emocionale dhe denigruese, të cilat nuk i shërbejnë as demokracisë dhe as interesit nacional.

Është paradoksale që në një kohë kur politika kosovare ka nevojë për më shumë integritet, profesionalizëm dhe mendim kritik, sulmohen pikërisht ata që tregojnë individualitet politik dhe qëndrueshmëri në bindjet e tyre. Një demokraci e shëndetshme nuk ndërtohet me servilizëm partiak, por me figura që kanë guximin të mbajnë përgjegjësi për qëndrimet e veta.

Në fund, pesha politike nuk matet me zhurmën e propagandës apo me fushatat e linçimit në rrjete sociale. Ajo matet me besimin qytetar, me konsistencën politike dhe me aftësinë për të qëndruar në anën e bindjeve edhe në momentet më të vështira. Historia politike shpesh ka dëshmuar se ata që sulmohen më shumë në një periudhë të caktuar, janë pikërisht ata që më vonë vlerësohen për guximin dhe pavarësinë e tyre politike.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit