Shkruan: Faton Ramadani
Me deklaratat e Blerim Kiqinës, rasti kishte marrë një kahje tjetër. Ishin mbuluar emrat që po hetoheshin. Blerim Kiqina kishte dhënë shumë deklarata të rreme, të cilat janë zbuluar pas 24 vitesh. Babai i Blerim Kiqinës ishte njoftuar nga ndërkombëtarët se Blerimi po jepte deklarata të rreme, por duket se ai ishte motivuar nga dikush që të vazhdonte me deklarime të tilla, duke përfshirë edhe persona të tjerë.
Me deklaratat e reja u mbuluan emrat që ishin në hetim dhe u akuzuan persona të pafajshëm, të cilët, sipas pretendimeve, asnjëherë në jetën e tyre me vëllezërit Ramadani nuk kishin pirë as kafe.
Kjo deklaratë tregon se Blerimi ishte arrestuar për deklarime të rreme. Duke e parë se Blerimi kishte karakter të dobët, Syleviqi deklaratën e pestë ia kishte përgatitur tamam ashtu siç ishte i shkolluar nga UDBA. Blerimi, për herë të parë, ishte veshur me këmishë dhe mbante një çantë me vete për të udhëtuar drejt Anglisë.
Ndërkombëtarët kryen misionin e vrasësve të vërtetë, sepse deklarata e Blerimit nuk kishte asnjë përputhje me vendin e krimit. Të gjitha dëshmitë kanë treguar se Blerimi ndodhej në ahengun ku ishte Hamz Hajra, e jo në një ditëlindje, dhe nuk ka mundur të ishte në vendin e vrasjes.
Në deklaratën e dytë, pasi ishte arrestuar, Blerimi kishte thënë se kishte parë tre persona te ura, madje për njërin kishte deklaruar se ishte i gjatë 170–175 centimetra. Tashmë, provat e siguruara në vendin e ngjarjes tregojnë se njëri nga vrasësit kishte pikërisht këtë gjatësi.
Pyetja është: nga e mori Blerimi këtë përshkrim kaq të saktë? Deri në këtë deklaratë, hetimet ishin vetëm në duart e ndërkombëtarëve. Nga deklarata e tretë, hetimin e kishte marrë Syleviqi, dhe aty u fshehën gjatësia, provat dhe emrat fillestarë, ndërsa faji iu vendos personave që ndodheshin në një festë me mbi 15 veta. Në fund, në burg mbetën vetëm katër persona pa asnjë provë.
Blerim Kiqina i ka mashtruar të gjithë, sepse nuk ka treguar se vazhdimisht kishte dhënë deklarata të rreme. Ai nuk ka interes që të zbardhet e vërteta, sepse mjafton të tregojë kush ia dha informacionin për gjatësinë e vrasësit 170–175 centimetra. Sot, provat tregojnë se njëri nga vrasësit kishte pikërisht këtë gjatësi, ndërsa Burim Ramadani është 193 cm, Arsim Ramadani 193 cm dhe Arben Kiqina 196 cm.
Kjo është ajo që Blerimi kishte deklaruar në fillim, pasi ishte arrestuar për dëshmi të rreme dhe para se të fillonte deklarata e përgatitur nga Syleviqi. Kur u burgos, ai e kuptoi se kishte marrë në qafë familjarë dhe kushërinj të tij vetëm për të shkuar në Angli.









