Janë zbardhur detaje të reja nga aksidenti tragjik që ndodhi në magjistralen Ferizaj–Shtime, në fshatin Slivovë, ku humbi jetën 60-vjeçari Izet Haxha.
Sipas burimeve dhe raportit fillestar të ekspertëve të trafikut, aksidenti ndodhi pasi automjeti “Golf”, që drejtohej nga viktima, ishte kyçur në magjistrale nga një rrugë me zhavorr në drejtim të Ferizajt.
Në ato momente, nga drejtimi i Ferizajt po lëvizte një veturë “Audi”, që drejtohej nga Liridona Rustemi.
Sipas hetimeve, vozitësja e Audit ka tentuar t’i shmanget Golfit duke kaluar në shiritin e kundërt, por kur ka vërejtur një automjet tjetër që po vinte nga drejtimi i Shtimes, është përpjekur të kthehet sërish në korsinë e saj.
Megjithatë, për shkak të shpejtësisë që po zhvillonte, nuk ka arritur të ndalet me kohë dhe është përplasur fuqishëm me Golf-in, duke e goditur në derën e shoferit.
Si pasojë e goditjes së rëndë, Izet Haxha ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa vdekja e tij është konstatuar nga mjeku emergjent.
Në aksident janë lënduar edhe vozitësja e Audit, Liridona Rustemi, si dhe pasagjerja P. R, e cila për shkak të lëndimeve është dërguar në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë Prokurorja e Shtetit dhe ekspertët e trafikut Arsim Aliu dhe Agon Kamenica.
Sipas raportit me shkrim të ekspertëve, lëshimet primare në aksident i atribuohen drejtuesit të Golfit, ndërsa lëshime sekondare janë konstatuar edhe nga vozitësja e Audit.
Pas intervistimit dhe trajtimit mjekësor, Liridona Rustemi është liruar në procedurë të rregullt.
Hetuesit kanë siguruar edhe autorizim për të marrë videoincizimet nga lokalet afër vendit të aksidentit, në përpjekje për të zbardhur plotësisht rrethanat e tragjedisë.









