Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka reaguar ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, pasi ky i fundit deklaroi se dënimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë kanë të bëjnë me krime individuale dhe nuk përbëjnë gjykim ndaj shtetësisë apo sovranitetit të Kosovës.
Hargreaves kishte deklaruar se “dënimet e fundit kanë të bëjnë me krime individuale të kryera ndaj viktimave nga komunitete të ndryshme”, duke shtuar se ato “në asnjë mënyrë nuk përbëjnë gjykim mbi shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj”.
Çitaku e ka kundërshtuar këtë interpretim, duke thënë se ambasadori britanik nuk e ka marrë parasysh përmbajtjen e aktakuzës dhe aktgjykimit.
“Qartazi, Ambasadori i nderuar as nuk e ka lexuar aktakuzën, as nuk e ka përcjellë procesin, e as nuk e ka dëgjuar aktgjykimin e Gjykatës. Sepse këtu nuk bëhet fjalë për dënime për vepra individuale”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka pretenduar se aktgjykimi shkon përtej përgjegjësisë së katër të dënuarve, duke iu referuar gjetjeve për ndërmarrjen e përbashkët kriminale.
“UÇK është cilësuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Ky është thelbi. Kjo është pesha e këtij vendimi. Dhe këtë nuk mund ta mbuloni me një fjali diplomatike. Mos na qitni hi syve”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka vazhduar me tone të ashpra ndaj qëndrimit të ambasadorit.
“Ju mundeni me e pranu këtë vendim. Mundeni me e relativizu. Mundeni me e reduktu në katër emra dhe me vazhdu tutje, sikur asgjë nuk ka ndodhur. Mundeni, përmes tij, me ble vullnet e paqe me Serbinë e me të tjerët. Po ne jo”, ka deklaruar ajo.
Çitaku ka thënë se nuk do të pranojë që, sipas saj, lufta e UÇK-së të përshkruhet përmes “gjuhës së kriminalitetit”.
“Nuk kemi me heshtë derisa lufta jonë për liri të përshkruhet me gjuhën e kriminalitetit. Nuk kemi me e pranu që historia jonë të rishkruhet për komoditetin politik të askujt. Jo. Jo në emrin tim”, ka përfunduar Çitaku.








