Bytyqi: Kosova ka nevojë për institucione, energji, siguri dhe vende pune

Deputetja e Aleancës, Albulena Bytyqi, në fjalimin e saj në Kuvendin e Kosovës në thirrjen e përbashkët me PDK-në për mbajtjen e seancës ka kritikuar situatën politike dhe ekonomike në vend, duke kërkuar krijimin e institucioneve dhe zgjidhje konkrete për problemet e qytetarëve.


Bytyqi ka thënë se Kosova po përballet me probleme të shumta që, sipas saj, kërkojnë veprime dhe jo bojkotim të institucioneve.

“Sot Kosova po përballet me shumë probleme që kërkojnë zgjidhje konkrete, jo fjalë, jo bojkotime të institucioneve e jo shkelje të Kushtetutës”, ka thënë ajo.


Duke folur për situatën në veri dhe Liqenin e Ujmanit, Bytyqi ka deklaruar se deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për Ujmanin duhet të merren seriozisht.

“Ujmani është aset strategjik i Republikës së Kosovës dhe çdo deklaratë që prek sovranitetin, integritetin territorial dhe pasuritë tona duhet të merret jashtëzakonisht seriozisht”, është shprehur Bytyqi.

Ajo ka kërkuar gjithashtu rishikimin e bashkëpunimit dhe blerjeve nga Serbia, veçanërisht për produktet për të cilat, sipas saj, ekzistojnë alternativa vendore ose nga vendet mike.


Bytyqi ka ngritur shqetësime edhe për furnizimin me barna, duke thënë se Kosova nuk duhet të krijojë varësi strategjike nga Serbia për produkte që lidhen me shëndetin e qytetarëve.

Deputetja e Aleancës ka folur edhe për energjinë, duke pyetur nëse Kosova do të ketë energji të mjaftueshme gjatë dimrit dhe me çfarë çmimi.


“Nuk mund të presim çdo dimër me pasiguri. Na duhet një strategji afatgjatë, investime e kapacitete të reja”, ka deklaruar ajo.

Sipas Bytyqit, një tjetër problem mbetet largimi i të rinjve nga Kosova. Ajo ka kërkuar krijimin e kushteve për punësim, paga dinjitoze, arsim cilësor, siguri dhe perspektivë.


Në planin ndërkombëtar, ajo ka thënë se Kosovës i duhen njohje të reja, diplomaci më aktive dhe zhbllokimi i fondeve të Bashkimit Evropian.

Bytyqi ka kërkuar edhe investime në infrastrukturë dhe rrugët nacionale, si dhe mbështetje më të madhe për sektorin privat.

Ajo ka kritikuar gjithashtu çmimet e larta dhe ka thënë se qytetarët duhet të kenë mundësi të përballojnë shportën familjare.

Në fund, Bytyqi ka kërkuar avancimin e procesit për gazin amerikan dhe diversifikimin energjetik.

“Kosova ka nevojë për veprim. Kosova ka nevojë për rezultate dhe, mbi të gjitha, Kosova ka nevojë për institucione”, ka thënë ajo.

Ajo e ka përmbyllur fjalimin me thirrjen për krijimin e institucioneve të vendit.

“Ejani në Kuvend dhe t’i krijojmë institucionet, sepse çdo ditë është humbje e madhe për vendin tonë”, ka deklaruar Bytyqi.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit