Kandidati për president të Kosovës, Bekim Sejdiu, ka bërë deklarimin e parë për media pas dakordimit të emrit të tij nga VV-ja dhe LDK-ja.
Sejdiu ka thënë se gjatë negociatave mes dy partive, emri i tij ka arritur të jetë ai për të cilin është gjetur dakordimi.
“Kjo mua më bën të ndihem i nderuar, besimi që më kanë dhënë përfaqësuesit e dy partive. Unë e kam pranuar këtë propozim, ani pse ambicia ime ka qenë gjithmonë në fusha akademike. Duke qenë i vetëdijshëm edhe me barrën edhe përgjegjësinë që e sjell posti i presidentit, por edhe në kontekstin aktual politik, jam në shërbim të Kosovës, qytetarëve dhe shtetit tonë, që të shërbej me devotshmëri siç kam bërë gjithmonë”, u shpreh kandidati për president.
“Motiv i imi i parë dhe kryesor ka qenë që të vihem në shërbim të Kosovës”, shtoi ai.








