Prokuroria e Tiranës ka strukturuar një grup prokurorësh për hetimin e çështjes së aeroportit të Vlorës. Hetimi është regjistruar për 3 individë: biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe shtetasin Nelson Çela, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A.
Shtetasi Nelson Çela u thirr sot paradite në Prokurorinë e Tiranës; ai dha një deponim, ndërsa fill më pas nënshkroi edhe dorëheqjen si administrator i kompanisë në pronësi të Pacollit. Të tre ata janë zyrtarisht nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve.
Procedimi penal kundër zotit Pacolli dhe dy të tjerëve mban nr. 64/06 dhe ka nisur në shtator, pasi një kallëzues me vlerë u vu në lëvizje nga shërbimet inteligjente partnere; një anëtar i strukturës hetimore besohet se ka marrë “clearance” nga FBI, raporton “Hashtag”.
Kjo histori, në dukje si përplasje korruptive, mbart një shqetësim edhe më të fortë se korrupsioni, pasi ka indicie se Pacolli është duke lidhur ujdi shumë larg për të vënë kolateral aeroportin e Vlorës. Veprimet e tij kanë lënë gjurmë pranë Astanas, Kazakistan.
Shqetësimi është se akrobacitë korruptive të zyrtarëve të Tiranës e kanë çuar lojën shumë më larg se korrupsioni: Aeroporti i Vlorës është kapacitet strategjik logjistik në Mesdhe, ndërsa mënyra si ka vepruar Pacolli ka ngritur shqetësime se ai mund të jetë duke krijuar korridor për interesa strategjike ruse në Shqipëri, vijon Hashtag.al









