Këngëtarja shqiptaro-amerikane Bebe Rexha ka emocionuar ndjekësit e saj duke publikuar fotografi të rralla nga arkivi familjar, të realizuara në ditën e martesës së prindërve të saj, Flamur dhe Bukurije Rexha.
Artistja e njohur për hitin “In The Name Of Love” i ndau fotografitë në platformën X, duke i shoqëruar me mbishkrimin: “Dasma e prindërve të mi shqiptarë”.
Postimi tërhoqi menjëherë vëmendjen e fansave dhe mblodhi mijëra pëlqime e komente. Shumë ndjekës ndërkombëtarë u habitën nga shprehja serioze e nënës së këngëtares në ditën e martesës.
“A ishte mamaja jote e lumtur që ndodhej aty?”, ishte një nga pyetjet që u përsërit në komentet e postimit.
Megjithatë, pamja e saj lidhet me një traditë të vjetër shqiptare, sipas së cilës nusja gjatë ceremonisë së martesës duhej të qëndronte serioze, me sytë ulur dhe pa shfaqur emocione të tepërta. Ky qëndrim konsiderohej shenjë respekti dhe modestie ndaj familjes dhe ceremonisë.

Tradita ka qenë e përhapur në shumë treva shqiptare dhe duket se është pasqyruar edhe në dasmën e prindërve të Bebe Rexhës.
Këngëtarja ka folur shpesh me krenari për prejardhjen e saj shqiptare. Babai i saj, Flamur Rexha, është me origjinë nga Dibra, ndërsa nëna e saj, Bukurije Rexha, vjen nga Gostivari.
Fotografitë u pritën me nostalgji nga fansat shqiptarë, ndërsa ndjekësit e huaj patën mundësinë të njiheshin me një nga traditat e vjetra të dasmave shqiptare.








