BE-ja nuk dërgon asnjë vëzhgues nga Brukseli për zgjedhjet e 7 qershorit

Për herë të parë pas një periudhe të gjatë zgjedhjesh në Kosovë, Bashkimi Evropian nuk do të angazhojë një mision për monitorimin e zgjedhjeve parlamentare.

Megjithëse ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i kishte drejtuar një ftesë zyrtare institucioneve evropiane për dërgimin e vëzhguesve, kërkesa nuk ka marrë përgjigje pozitive.

Institucionet e BE-së e kanë injoruar tërësisht kërkesën e ushtrueses së detyrës së shefes së shtetit.

Që nga zgjedhjet lokale të vitit 2013 dhe ato parlamentare të vitit 2014, BE-ja kishte qenë vazhdimisht e pranishme me misione të posaçme vëzhguese për vëzhgimin e procesit zgjedhor.

Pas përfundimit të zgjedhjeve, ky mision hartonte një raport ku vlerësonte organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor në Kosovë.

Pas shpalljes së datës 7 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Haxhiu u kishte dërguar letra zyrtare kryetares së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, si dhe përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.

Në ftesën e saj, ajo kishte theksuar se pranimi i një misioni vëzhgues nga BE-ja do të ndihmonte në forcimin e transparencës, besueshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor, duke reflektuar përkushtimin e Kosovës ndaj standardeve demokratike dhe organizimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

“Prania e Misionit Vëzhgues të BE-së do të kontribuonte në transparencën, kredibilitetin dhe integritetin e procesit zgjedhor, në përputhje me përkushtimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës për standarde demokratike dhe zgjedhje të lira”, ishte thënë në njoftimin e Presidencës.

Por, kjo kërkesë, nuk është mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Arsyet e injorimit të kërkesës së Haxhiut ende nuk dihen.


Në listën e publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për subjektet e akredituara që do të monitorojnë zgjedhjet e 7 qershorit, nuk figuron misioni i posaçëm vëzhgues i BE-së.

Në proceset e mëparshme zgjedhore, vëzhguesit evropianë ishin regjistruar me emrin “EU Election Expert Mission”.

Sipas të dhënave të KQZ-së, vetëm katër organizata ndërkombëtare do të angazhohen në vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve: Parliamentary Assembly of the Council of Europe me 19 vëzhgues, Programi i Vëzhguesve Ndërkombëtarë me 22 vëzhgues, Institut de Coopération et Développement me 75 vëzhgues dhe National Democratic Institute me 14 vëzhgues.

BE do të jetë pjesë e vëzhgimit të zgjedhjeve vetëm përmes stafit të zyrës së saj në Kosovë, që si përfaqësi diplomatike “EU in Kosovo” është akredituar me 44 vëzhgues. Në këtë formë janë akredituar edhe në proceset e kaluara në Kosovë, krahas akreditimit të misionit të posaçëm të përbërë prej ekspertëve për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Ndërkohë, në mbledhjen e mbajtur të martën, KQZ-ja ka miratuar edhe grupin e dytë të vëzhguesve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Me akreditimet e reja, numri total i vëzhguesve të regjistruar për monitorimin e procesit zgjedhor ka arritur mbi 16 mijë.

KQZ ka njoftuar se vëzhguesit e akredituar përfaqësojnë: 15 subjekte politike 14,925 vëzhgues; 13 OJQ vendore – 796 vëzhgues; 4 organizata ndërkombëtare 130 vëzhgues; 39 media vendore – 457 vëzhgues; 23 media ndërkombëtare 78 vëzhgues; 6 përfaqësi diplomatike – 90 vëzhgues; dhe 1 institucion vendor – 67 vëzhgues.

Në zgjedhjet e kaluara parlamentare, të cilat janë mbajtur më 28 dhjetor, BE kishte reduktuar dukshëm numrin e vëzhguesve të Misionit vëzhgues të zgjedhjeve në 7 vëzhgues.

Kurse, për zgjedhjet të cilat ishin mbajtur më 9 shkurt BE-ja kishte dërguar 104 vëzhgues.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit