Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndërprerjen e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë nga Serbia.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka kritikuar Qeverinë, duke thënë se ajo e ka ditur se kush përfiton dhe kush pëson nga vendimet e marra ndër vite në sektorin e energjisë.
Ajo ka përmendur kundërshtimin e projekteve energjetike, përfshirë ndërtimin e termocentralit të planifikuar nga kompania ContourGlobal, projektin e gazit amerikan përmes MCC-së, si dhe gazin e lëngshëm amerikan.
“Shtatë vjet kanë përfitu tregtarët e energjisë. E me gjasë, jo veç ata, por edhe këta që e kanë leju këtë gjendje”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka kërkuar që Qeveria të japë llogari për paratë e qytetarëve dhe përfitimet që, sipas saj, kanë realizuar tregtarët e energjisë dhe personat që kanë lejuar krijimin e kësaj situate.
“Tash me këtë vendim na shiten si patriotë të kësaj dekade. Po hajde, tregojuni qytetarëve ku kanë përfundu paratë e tyre: në fitime të majme për tregtarët e energjisë, manipuluesit e tregut dhe ata që e kanë leju këtë gjendje”, ka deklaruar Bajrami.









