Avokati Gazmend Halilaj ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas vendimit të Prokurorisë Themelore për të hedhur poshtë kallëzimin penal të juristes së mediave, Flutura Kusari, ndaj Mentor Llugaliu, shkruan GazetaKosova.net
Halilaj e konsideron këtë vendim si një fitore ndaj përpjekjeve për të heshtur zërat kritikë dhe intelektualët që trajtojnë tema me interes për vendin.
“Rrezuam kallëzimin penal që juristja e mediave u mundua përmes Prokurorisë ta përdorë për ta ndalur mikun tonë, Mentor Llugaliun,” ka shkruar ai.
Duke mos kursyer kritika, avokati Halilaj e quajti Flutura Kusarin si “keqpërdoruesja më e madhe e fjalës së lirë”, duke shtuar se edhe vetë ka qenë objekt i shpifjeve nga ana e saj.
“Për mua ka shpif shumë, por unë e ftoj të shpifë edhe më shumë,” përfundon reagimin e tij Halilaj.
Ky zhvillim po shihet si një rast i rëndësishëm për kufijtë e lirisë së shprehjes dhe përdorimin e instrumenteve ligjore në debatin publik.









