Avdullah Hoti, ka kërkuar hapur nisjen e një procesi të menjëhershëm të ndryshimeve të brendshme dhe reformimit strukturor brenda partisë, si pasojë e rezultateve të dobëta në zgjedhjet e fundit.
Hoti ka deklaruar se pas dështimeve të njëpasnjëshme elektorale është krejtësisht normale dhe e domosdoshme që partia të rishikojë organizimin e saj, të reformojë strukturat dhe të dalë para qytetarëve me një ofertë krejtësisht të re politike.
Sipas tij, strategjitë dhe ofertat e deritanishme të LDK-së nuk kanë qenë të mjaftueshme për të rikthyer besimin e humbur të elektoratit.
“Është normale kur ke një rezultat të dobët zgjedhor, të kërkohet që të rishikohen gjërat, të riformohemi nga brenda, t’i hymë një procesi të ndryshimeve brenda partisë, ta ridefinojmë komplet strukturën udhëheqëse të partisë dhe të dalim para qytetarëve të rifreskuar me ofertë të re politike, sepse është e qartë që ajo që kemi ofruar dy herë vitin e kaluar, një herë sivjet, nuk ka qenë e mjaftueshme për të marrë besimin e qytetarëve”, ka deklaruar prerazi Hoti.








