Një incident i rëndë ka ndodhur gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën Themelore në Vushtrri, ku një person dyshohet se ka kanosur prokurorin e rastit, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Burimet bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Avdulla Gërbeshin ndaj të cilit tashmë është iniciuar procedurë penale për veprën: “Kanosje”.
Sipas informatave, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda pranë DHKOKR-së është njoftuar më 13 maj 2026 nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë se gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore në Gjykatën Themelore në Vushtrri, i dyshuari kishte kanosur prokurorin M. P.
Sinjali mëson se pas pranimit të informatës, hetuesit, në koordinim me Prokurorinë, kanë ndërmarrë veprime hetimore, ku fillimisht është intervistuar prokurori M. P në cilësinë e viktimës.
Më pas është siguruar dhe intervistuar edhe i dyshuari Avdulla Gërbeshi.
Pas përfundimit të procedurave fillestare, me vendim të Prokurores nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.









