Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar për tërheqjen nga tregu të koncentratit për lopë qumështore “SELECT MILK GR”, pas konfirmimit të tejkalimit të nivelit maksimal të lejuar të aflatoksinës B1 (AFB1) në ushqimin për kafshë.
Sipas AUV-së, produkti është prodhuar nga kompania “DE HEUS D.O.O.” në Serbi dhe është importuar në Kosovë nga N.P.T. “Haxhijaha” SH.P.K. nga Rahoveci.
Masat e tërheqjes lidhen me LOT-et 0385010426007 dhe 0385020426001, ndërsa AUV ka urdhëruar izolimin e sasive të mbetura dhe gjurmimin e shpërndarjes së produktit te operatorët dhe fermat ku ai është përdorur.
AUV u ka bërë thirrje fermerëve, distributorëve dhe operatorëve që e posedojnë këtë produkt nga LOT-et e identifikuara që të mos e përdorin apo ta vendosin në qarkullim, por ta mbajnë të veçuar dhe të bashkëpunojnë në procesin e tërheqjes.
Krahas kësaj, për një periudhë prej 30 ditësh është vendosur masë e përkohshme parandaluese ndaj importit të koncentrateve dhe përzierjeve me bazë misri për lopë qumështore dhe viça, të klasifikuara nën kodin tarifor 2309909600, me origjinë ose të prodhuara në Serbi.
Gjatë kësaj periudhe, AUV do të kryejë vlerësim të dokumentuar të rrezikut, bazuar në rezultatet laboratorike dhe kontrollet zyrtare, për të përcaktuar masat e mëtejshme.
Ndërkohë, janë intensifikuar edhe kontrollet për praninë e AFB1 në misër dhe produktet me bazë misri që përdoren për ushqim të kafshëve, me fokus të veçantë te ushqimi për lopë qumështore. Këto kontrolle përfshijnë mostrime dhe analiza laboratorike të shtuara.
Aflatoksina B1 është substancë toksike që mund të jetë e pranishme në misër dhe ushqimin për kafshë. Sipas vlerësimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, aflatoksinat paraqesin rrezik për shkak të efekteve toksike, gjenotoksike dhe kancerogjene, veçanërisht në mëlçi.
Rreziku lidhet edhe me qumështin, pasi te lopët që konsumojnë ushqim të kontaminuar me AFB1, një pjesë e kësaj substance mund të shndërrohet në aflatoksinë M1 (AFM1) dhe të kalojë në qumësht.
AUV ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet në kufi dhe brenda vendit, si dhe mostrimin, analizat laboratorike dhe gjurmueshmërinë e produkteve, me qëllim të parandalimit të përhapjes së rrezikut në zinxhirin ushqimor.








