Faton Ramadani ka reaguar ashpër ndaj dëshmisë së Blerim Kiqinës, duke e cilësuar atë si të përgatitur për të mbuluar të vërtetën dhe për të shmangur zbardhjen e rastit.
Sipas Ramadanit, Blerim Kiqina ka deklaruar rrejshëm se ka pirë kafe me Burim dhe Arsim Ramadanin, ndonëse, siç thotë ai, një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë. Ai pretendon se në dëshmi janë përfshirë edhe persona që nuk kanë qenë fare të pranishëm në festën e ditëlindjes së Burim Ramadanit.
Ramadani thekson se Haki Xhemajli nuk ka qenë në atë festë dhe se ai kishte deklaruar se ndodhej në banesën e tij në Prishtinë nga ora 22:00. Në anën tjetër, sipas tij, Ilir Demaku kishte marrë pjesë në festë bashkë me rreth 15 persona të tjerë, përfshirë Burimin, Arsimin dhe Arbenin.
Ai pretendon se personat e përmendur nga Blerim Kiqina janë përzgjedhur në mënyrë selektive, duke shtuar se disa emra, si Naim Kiqina dhe të tjerë, ndonëse janë përfshirë në dëshmi, nuk janë arrestuar kurrë.
Ramadani rikujton se nga 12 persona të arrestuar në këtë rast, shkalla e parë i kishte dënuar, ndërsa shkalla e dytë i kishte liruar, përfshirë edhe të akuzuarin kryesor.
“Të tjerët u mbajtën vetëm që të mos zbardhet e vërteta”, deklaron ai, duke kërkuar që të hetohet origjina e dëshmisë së Blerim Kiqinës dhe të zbulohen, siç thotë ai, “kryesit e vërtetë”.









