Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ndriçimin e atentatit ndaj 25-vjeçarit Harbin Vitija, tha Prokuroria Themelore në Prishtinë në një njoftim për media.
Plagosja që tronditi Prishtinën ndodhi të enjten në mbrëmje në një kafene në lagjen Bregu i Diellit.
Viktima, 25-vjeçar, dyshohet se u qëllua me plumb në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit. Ai ndodhet në mjekim intensiv në Qendrën Klinike Universitare.
Autorët nuk janë identifikuar ende.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Shtetit:
Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik, se pas pranimit të informatave nga Policia e Kosovës lidhur me një rast që ka ndodhur më datë 14.05.2026, rreth orës 21:40, në rrugën ‘’Ali Sokoli’’ në Prishtinë, një person me inicialet A.V. ka mbetur i plagosur si pasojë e plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit.
I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me Policinë e Kosovës, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘’Vrasja e rëndë në tentativë’’, sipas nenit 173 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës të Kosovës.
Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit, si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar lidhur me këtë rast.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, do të informojë opinionin publik për zhvillimet e mëtejme lidhur me këtë rast.









