Një shtetas shqiptar, 55 vjeç, është plagosur me armë zjarri mëngjesin e së hënës në Athinë, në një sulm që dyshohet se ishte atentat i organizuar ndaj tij.
Ngjarja ndodhi pak para orës 05:00 në zonën Patissia, në kryqëzimin e rrugëve Vroutou dhe Themou Annino, raportojnë mediat greke.
Sipas të dhënave të para të hetimeve, dy persona që lëviznin me motoçikletë e qëlluan shqiptarin në momentin kur po dilte nga banesa e tij.
Ai pësoi plagë në këmbë dhe u dërgua për trajtim në spital. Gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë e qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën.
Policia gjeti dhe sekuestroi në vendin e ngjarjes tri gëzhoja dhe një plumb, të cilat pritet të analizohen në kuadër të hetimeve.
Drejtoria e Krimit të Organizuar e Policisë së Atikës po punon për identifikimin e autorëve dhe zbulimin e motiveve të sulmit.








