Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka nisur sot një tur zyrtar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, me fokus forcimin e bashkëpunimit dhe perspektivës evropiane të rajonit.
Gjatë ditës së parë të vizitës, Costa pritet të qëndrojë në Sarajevë, ku do të zhvillojë takime me përfaqësues institucionalë të Bosnjë e Hercegovinës.
Më 2 qershor, ai do të vizitojë Tiranën, ku janë planifikuar takime me drejtues të lartë shtetërorë dhe studentë të Kolegjit të Evropës në kampusin e Tiranës. Në të njëjtën ditë, ai do të udhëtojë edhe drejt Shkupit për takime me autoritetet e Maqedonisë së Veriut.
Ndërsa më 3 qershor, Antonio Costa do të qëndrojë në Prishtinë, ku do të zhvillojë takime me liderët institucionalë dhe përfaqësues të partive politike.
Pas vizitës në Kosovë, ai do të vijojë turin në Serbi dhe Mal të Zi, ndërsa më 5 qershor do të marrë pjesë në samitin BE–Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Tivat.
Në këtë samit do të diskutohet tema “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor”, një takim që synon thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.










