Një 13-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur të dielën në fshatin Muhovc të Ferizajt.
Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti është raportuar më 9 gusht 2026, rreth orës 16:30.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore të Stacionit Policor dhe Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, ndërsa është njoftuar edhe Emergjenca e Ferizajt.
Sipas informatave fillestare, në aksident është përfshirë një veturë me targa vendore, në të cilën ndodheshin dy persona.
Si pasojë e aksidentit, 13-vjeçari ka humbur jetën, ndërsa personi tjetër ka pësuar lëndime dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Ferizajt, ka konfirmuar zëdhënësi i policisë, Kanun Veseli.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa njësitet kompetente të trafikut kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për hetimin e rrethanave të aksidentit.
Policia ka bërë të ditur se detajet e tjera lidhur me rastin do të publikohen përmes raportit vijues.








