Afera milionëshe me tokë të shtetit në Çagllavicë: Arrestimet, falsifikimet dhe si u përfshi në rast firma “Lirimi Group” e Misin Thaqit

Një parcelë prej 39 201 m² në lagjen Çagllavicë, në komunën e Prishtinës, është shndërruar në thelb të një skandali të gjerë që prek pronën publike, institucionet shtetërore dhe një kompani private. Ka pasur arrestime, bllokim pronash dhe zgjerim hetimesh.

Mbi një vit më parë, Gazeta kishte filluar një seri raportimesh mbi transaksione të dyshimta – që si të tilla i konsideronte shteti – në lidhje me avokatin Venhar Hana. Ai kishte reaguar, bërë kallëzime penale dhe ankesa në Këshillin e Mediave. Kallëzimet u hodhën, ankesat u rrezuan, dhe këtë vit Hana, por jo vetëm ai, ra në pranga me urdhër të Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Prishtinës.

Për këtë aferë, që prek një pronë të shtetit, dikur e zotëruar nga ish-Raditelivizioni i Prishtinës dhe e menaxhuar nga Agjencia e Privatizimeve, e që dyshohet se me një vendim të falsifikuar u shndërrua në pronë private të shtetases kosovare me kombësi serbe, Sllavica Mikiq, filloi të shitej, parcializohej dhe shkërmoqej, derisa ndërhyri shteti.

Hana, që tash gjendet në arrest shtëpiak, u arrestua. Bashkë me të edhe biznesmeni Dritmir Islami, e më vonë Prokuroria kap edhe persona të tjerë nga institucionet shtetërore.

Një dokument i siguruar nga Gazeta për bllokimin e kësaj prone, i gjatë mbi 20 faqesh, tregon se në këtë rast u përfshi edhe firma e biznesmenit Misin Thaqi, kompania e ndërtimeve “Lirimi Group” sh.p.k.

Dokumentet e paraqitura në gjyq tregojnë se parcela është regjistruar në emër të Slavica Mikiç përmes një vendimi gjyqësor të dyshuar, i cili daton nga viti 1976. Vendimi i referuar në dosjen penale me numër P 56/76, datë 28 prill 1976, nuk gjendet në Arkiv, ani pse atë e kërkoi Policia. E kërkoi edhe Insajderi, por nga ky institucion i patën thënë që nuk po e gjejnë.

Pas regjistrimit, toka është copëzuar në dhjetëra nënparcela me kodet P 719 … 00427. Këto nënparcela janë shitur më vonë edhe te firma “Lirimi Group” sh.p.k., e cila ka marrë pjesë në transaksionet e pronës. Ekspertë të pavarur kanë vlerësuar vlerën totale të pronës në dhjetëra milionë euro, megjithatë raportet e detajuara të vlerësimit nuk janë publikuar në media.

Hetimet e autoriteteve filluan në qershor 2022, kur Prokuroria Themelore e Prishtinës vuri re se vendimi i vitit 1976 ishte përdorur për të “legalizuar” parcelën në mënyrë të dyshimtë. Në bazë të kësaj, Prokuroria hapi dosjen penale nr. 715/2024, e cila përfshin akuzat e “Falsifikimit të dokumenteve gjyqësore” dhe “Shpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Një nga personat kryesorë të hetimit, avokati Venhar Hana, u përfshi në hetime të avancuara. Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë, e arrestoi Hana-n më 12 qershor 2024 në Prishtinë. Ai dyshohet për falsifikim, shpërdorim të detyrës zyrtare dhe vepra të tjera.

Më 4 nëntor 2024, Gjykata Themelore e Prishtinës – Departamenti për Krime të Rënda lëshoi urdhrin ndalues përfundimtar PP l nr. 126K/23. Urdhri ndalon çdo transaksion (shitje, dhurim, hipotekë) mbi parcelën me numrin kadastral P 719 14075 00427 1 dhe mbi 63 nënparcela që janë krijuar më vonë. Në vendimin gjyqësor përmendet në mënyrë eksplicite “Lirimi Group” sh.p.k. si subjekti që ka përfituar nga transaksionet e pronës.

“Lirimi Group” sh.p.k. reagoi në gjykatë më 22 nëntor 2024, duke paraqitur kundërshtim që pretendon se kompania veproi në mirëbesim (bona fide) dhe se blerja e parcelave ishte në përputhje me legjislacionin në fuqi në atë kohë. Kjo është e dokumentuar në dosjen e gjyqit (nr. 126K/23).

Të pyetur se si u përfshi emri i kompanisë së tyre në këtë rast, kompania e Misin Thaqit i ka thënë gazetës pothuajse përgjigje të njëjtë, duke shtuar se: “Kompania jonë ka vepruar me mirëbesim si blerës të një pjese të parcelës në fjalë, duke ndjekur të gjitha procedurat ligjore përmes zyrës noteriale përkatëse”.

Procesi i blerjes, sipas përgjigjes së tyre, është zhvilluar në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, dhe se “në kohën e blerjes kompania jonë nuk ka pasur asnjë njohuri apo njoftim nga ndonjë institucion se parcela mund të jetë objekt i ndonjë kontesti apo procedure hetimore”.

“Kompania jonë po ndjek me seriozitet të gjitha zhvillimet dhe është e përkushtuar të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm ligjor në mbrojtje të interesave të saj. Për momentin, për shkak se procesi është ende në zhvillim, nuk mund të japim komente shtesë apo përgjigje specifike lidhur me detajet e rasti”, thuhet në përgjigjet e kompanisë.

Përfshirja e shtatë individëve në skemën e dyshuar të tjetërsimit të pronës

Një hulumtim nga Gazeta pati zbuluar se në këtë aferë janë të përfshirë deri tash gjithsej shtatë individë: një avokat, një biznesmen dhe pesë zyrtarë të institucioneve shtetërore.

Avokati Venhar Hana dhe biznesmeni Dritmir Islami dyshohet se kanë luajtur role kyçe në manipulimin e dokumenteve dhe regjistrimin e parcelës në emër të Sllavica Mikiq. Përveç tyre, janë të përfshirë edhe pesë zyrtarë të institucioneve shtetërore: Bashkim Shaqiri, Drejtor i Zyrës Ligjore në Agjencinë Kadastrale të Kosovës; Mejreme Bajrami, zyrtare e lartë ligjore në të njëjtën agjenci; Veton Bytyqi, zyrtar në Agjencinë e Arkivave të Kosovës; Zelije Shala, shefe e divizionit në Agjencinë e Arkivave; dhe Mehdi Bahtiri, po ashtu zyrtar në Agjencinë e Arkivave.

Manipulimi i dokumenteve dhe regjistrimi i parcelës

Sipas hetimeve, këta individë kanë krijuar mundësinë që Sllavica Mikiq dhe Venhar Hana të paraqesin kërkesë për regjistrimin e pronës në Drejtorinë e Kadastrit në Komunën e Prishtinës. Kjo ka përfshirë përdorimin e dokumenteve të falsifikuara dhe manipulimin e informacionit për të regjistruar parcelën me sipërfaqe 39,201 m², e cila ishte pronë shoqërore e ish-Raditelivizionit të Prishtinës dhe më pas e menaxhuar nga Agjencia e Privatizimeve të Kosovës. Ky proces ka çuar në tjetërsimin e pronës publike në pronë private, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme për shtetin.

Hetimet që ende po vazhdojnë, janë duke u udhëhequr nga Prokurori Esat Rama.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit