Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditura detaje nga dakordimi me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për kandidatin për President të Kosovës, Bekim Sejdiun.
Abdixhiku ka bërë të ditur se emri i Sejdiut është propozuar për President “nga të dyja palët”, në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.
Në një postim në Facebook, ai tha se LDK-ja dhe LVV-ja kanë propozuar të njëjtin emër, duke arritur kështu një “zgjidhje që bashkon”.
“Emri i profesor Sejdiut u propozua nga të dyja palët, në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra. Kur interesi i Republikës vendoset mbi interesin partiak, mund të gjenden njerëz dhe zgjidhje që bashkojnë. Në këtë pikë dua t’i falënderojë të dy ekipet diskutuese për mbështetjen në këtë proces; për përpjekjet konstruktive në një proces të vështirë dhe kompleks”, shkroi ai.
Duke folur për Sejdiun, të cilin e cilësoi si “jurist të shquar” dhe “diplomat me përvojë të jashtëzakonshme në SHBA e Turqi”, Abdixhiku tha se ai është “i pavarur” nga secila palë dhe se ka “virtyte që i duhen institucionit më të lartë përfaqësues të vendit”.
Abdixhiku theksoi se LDK-ja do ta mbështesë marrëveshjen e arritur, duke thënë se shteti është mbi çdo interes partiak.
“LDK-ja do ta mbështesë këtë marrëveshje me bindjen se shteti është më i rëndësishëm se çdo interes partiak”, tha ai.








