Kryetari i LDK, Lumir Abdixhiku ka reaguar për vdekjen e politikanit, Alush Gashi, të cilin e vlerësoi si mik të madh e të vërtetë.
Abdixhiku vlerësoi lart kontributin e tij në skenën politike, e veçanërisht në raportet personale.
“Për mua ishte shumë më shumë se kaq. Ishte mentor. Ishte këshilltar. Ishte një prej njerëzve më të afërt që pata në këtë rrugëtim. Në këtë rrugëtim timin, rrallë kam takuar njerëz me aq maturi e aq mirësi. Në momentet më të vështira, tek ai gjeja gjithmonë qetësi. Një mendim të peshuar. Një fjalë që të kthjellonte. Një përkujdesje të heshtur, pa zhurmë, pa kërkuar asgjë.
E kam të vështirë ta besoj se nuk do të flasim më. Se nuk do ta kem më atë telefonatë, atë mendim të urtë, atë qetësi që dinte ta sillte edhe kur gjithçka bëhej zhurmë. Nuk arritëm të përshëndetemi në këtë botë profë. Kjo më dhemb shumë. Më mbetet peng. Sepse gjithmonë kam menduar se do të kemi edhe një bisedë tjetër. Edhe një kafe. Edhe një këshillë të fundit”, tha ai.









