Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj deklaratës së nënkryetarit të kësaj partie, Lutfi Haziri, i cili ditë më parë tha se votat e LDK-së unifikohen vetëm nëse president i ri bëhet Abdixhiku ose ai vetë.
Abdixhiku ka bërë të qartë se një deklaratë e tillë ka qenë e ngutshme dhe e pamenduar, pasi asnjëra nga këto pozicione nuk është diskutuar brenda organeve të partisë.
Përmes këtij qëndrimi, kreu i LDK-së ka lënë të nënkuptohet se partia nuk ka ndryshuar kurs dhe se kandidatja e vetme që mbështetet mbetet Vjosa Osmani.
“Nuk është dashur të flasë për emrin tim e as për të tij, dhe ai e qartësoi më pas. Me Lutën kemi pasur diskutim miqësor, ai i ka dhënë qëndrimet e LDK-së këto ditë dhe është një njeri që ka kontribuar shumë në LDK, sepse as unë e as Luta s’kemi garuar për president. Unë s’kam konsensus për emrin tim, se s’e kemi diskutuar këtë çështje. Brenda grupit parlamentar e diskutojmë se si do të ecim tutje, brenda partisë ne kemi qëndrim, garim”, ka deklaruar Abdixhiku.
Më herët, Haziri kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë se konsensusi brenda LDK-së mund të arrihej vetëm nëse presidenti del nga kjo parti, ku sipas tij, pas Abdixhikut, ai gëzon konsensusin më të madh.
Megjithatë, ky skenar është hedhur poshtë nga vetë Abdixhiku, duke konfirmuar se tema e presidentit do të trajtohet vetëm mbi bazën e qëndrimeve zyrtare të grupit parlamentar.








