Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka zhvilluar një takim me qytetarë në Gjilan, ku tha se ka gjetur një mbështetje të madhe dhe një frymë në rritje për ndryshim.
Abdixhiku e cilësoi pritjen në Gjilan si të jashtëzakonshme, duke theksuar se energjia e qytetarëve të Anamoravës po i jep besim se mbështetja për LDK-në po zgjerohet çdo ditë.
“Ministrat e LDK-së nuk do të mburren me hapje derrasash të vadeve. Ministrat tanë do të maten me punë të mëdha. Me përfundimin e Autostradës së Gjilanit, menjëherë”, deklaroi Abdixhiku.
Ai shtoi se Kosova nuk ka më kohë për propagandë dhe fotografi ceremoniale, por ka nevojë për rezultate konkrete dhe përfundimin e projekteve që, sipas tij, kanë mbetur peng për vite me radhë.










