Abdixhiku: LDK ka rritjen më të madhe, ky është rezultat i frymës së re që ndërtuam me Vjosa Osmanin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas përmbylljes së procesit të votimit, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen në zgjedhje, duke e cilësuar ditën e votimit si një dëshmi të pjekurisë demokratike të Kosovës.

“Qytetarët tanë folën me votë, në mënyrë të ndershme, të qetë dhe demokratikisht. Dhe, në një rajon që njeh shumë tensione zgjedhore, Republika e Kosovës dëshmoi edhe një herë pjekurinë demokratike. Për këtë, meritoni falënderim të jashtëzakonshëm, të dashur qytetarë. Me pjesëmarrjen tuaj, me sjelljen tuaj, e bëtë këtë ditë një festë të demokracisë së Kosovës”, tha Abdixhiku.

Ai shprehu mirënjohje edhe për institucionet dhe personat e angazhuar në organizimin e zgjedhjeve.

“Një falënderim shumë të veçantë dua t’i shpreh edhe institucioneve përgjegjëse për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, në radhë të parë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, administratën zgjedhore përfshirë në Kosovë, komisionerët, vëzhguesit dhe të gjithë ata që kontribuuan që qytetarët tanë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike në qetësi dhe me siguri. Demokracia e Kosovës forcohet pikërisht në ditë si kjo të zgjedhjeve, kur vullneti i qytetarëve respektohet dhe institucionet funksionojnë”, deklaroi ai.

Duke iu drejtuar mbështetësve të LDK-së, Abdixhiku tha se rezultati i arritur është fryt i besimit qytetar dhe angazhimit të strukturave partiake.

“Dua t’i falënderoj mbështetësit, votuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Secilin qytetar që besoi tek ne, që na dha mbështetje, që gjatë këtyre javëve na hapi derën, na dha dorën, na dha zemrën, por mbi të gjitha na dha besimin. Ky rezultat i sotëm është efektivisht një bashkim i madh njerëzor e politik. Është rezultat i një fryme të re që e kemi ndërtuar së bashku me Vjosa Osmanin”, tha ai.

Sipas Abdixhikut, LDK-ja ka shënuar rritjen më të madhe të një subjekti politik në këto zgjedhje.

“Lidhja Demokratike e Kosovës sonte shënon rritjen më të madhe që një subjekt politik ka siguruar në këto pozicione. Në vetëm një muaj fushatë, në kaq pak kohë, LDK-ja ka kaluar nga 13 për qind në 18 për qind, përkatësisht në 20 mandate. Kjo rritje, që ne ekonomistët i referohemi si 5 pikë përqindjeje, e që në fakt është 34 për qind e bazës sonë, është mbështetje për vizionin që e kemi prezantuar”, u shpreh ai.

Ai shtoi se rezultati i arritur është sinjal i mbështetjes në rritje për programin politik të LDK-së.

“Dhe kjo nuk është vetëm një numër, nuk është një statistikë, është një shenjë që tregon se ky vizion po merr mbështetje qytetare, se politika e shpresës dhe bashkimi që kemi nxitur, dhe zhvillimi që kemi promovuar po gjen vend gjithnjë e më shumë tek qytetarët e Republikës së Kosovës. Me 20 mandate LDK është e stabilizuar. Me 20 mandate LDK e Kosovës ka një të ardhme shumë të mirë përpara”, shtoi Abdixhiku.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit