Lideri i Aleancës, Ardian Gjini ka mbajtur sot një konferencë për media.
I pyetur nëse Aleanca do ta votojë Vjosa Osmanin për presidente, Ardian Gjini ka theksuar se partia ka unitet të plotë në procesin e vendimmarrjes dhe se qëndrimet e saj janë të koordinuara.
“Aleanca ka unitet të jashtëzakonshëm në procesin e vendimmarrjes, unik në Kosovë. Vendimet tona kanë me qenë të pastra, të harmonizuara dhe kemi me dalë bashkë,” tha Gjini.
Ai shtoi se mbështetja e AAK-së nuk varet nga ambiciet personale të individëve për poste politike.
“A ka me u votu një person që lyp me u bë diçka apo nuk ka me u votu një person që lyp me u bë diçka, nuk varet prej kësaj. Asnjëherë nuk varet prej kësaj”, u shpreh ai.
Gjini theksoi se partitë politike janë të lira të bëjnë marrëveshje mes vete, por AAK do të vendosë vetëm në bazë të zotimeve konkrete dhe të shkruara.
“Lirisht le ta bëjnë marrëveshjet partitë politike, ne nuk jemi kundër. Por nëse i duhet Aleanca për me zgjidh ngërqin institucional, nuk kemi me ia dhënë vetëm se dikush lyp me u bë kryeministër apo president. Kemi me ia dhënë nëse ka zotim të pastër me shkrim për këto çështje”, tha Gjini.
Ai shtoi se Kosova nuk duhet të ketë institucione që, sipas tij, nuk kanë orientim të qartë për zhvillimin e vendit.
“Kosova nuk meriton me pas institucione nëse ato thonë se nuk duan me zhvillu ekonominë e Kosovës, nuk duan me e pavarësu ekonomikisht e energjetikisht, dhe nuk duan me u lidh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Gjini.








