Media ka siguruar identitetin e personit që mbeti i plagosur sonte në një ngjarje të rëndë në fshatin Gojbul të Vushtrris, ku dyshohet se është qëlluar me armë zjarri.
Burimet brenda urgjencës bëjnë me dije se i plagosuri është Fatmir Voca, i cili punonte si roje objekti në një pronë të familjes Gerbeshi.
Sipas informatave që siguroi media, Voca ka pësuar plagë në kokë dhe në kraharor, ndërsa gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar. Ai është dërguar me urgjencë në QKUK – Prishtinë, ku po trajtohet nën kujdesin e mjekëve specialistë.
Rreth orës 21:00, rasti ishte raportuar fillimisht nga Urgjenca e Vushtrris, ku u tha se një person mashkull ishte paraqitur me plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e NJRSH-së dhe Hetimeve Rajonale, të cilat janë duke zhvilluar hetime intensive për të ndriçuar motivin dhe rrethanat e sulmit të armatosur.






