Për Arben Anamalin, kapitenin e anijes turistike që humbi jetën në liqenin e Shkodrës, teksa shpëtoi turistë izraelitë, kanë shkruar edhe mediat ndërkombëtare.
Anamali me një gjest heroik ndërhyri të shpëtonte dy turistë izraelitë, jeta e të cilëve rrezikohej për shkak të rrymave të forta në liqen.
“The Jerusalem Post” në një artikull për këtë ngjarje shkruan se Anamali, kapiten i një anije turistike që operon nga qyteti verior i Shkodrës, kishte dalë në liqen me një grup turistësh, përfshirë shtatë shtetas izraelitë.
“Trupi i pajetë i shtetasit shqiptar Arben Anamali u gjet në Liqenin e Shkodrës të enjten në mëngjes, pasi u zhduk gjatë shpëtimit të dy turistëve izraelitë për shkak të rrymave të liqenit në fillim të kësaj jave, sipas mediave lokale.
Anamali, kapiteni i një anijeje turistike që operonte nga qyteti verior i Shkodrës në Shqipëri, çoi një grup turistësh në Liqenin e Shkodrës në fillim të kësaj jave, përfshirë shtatë qytetarë izraelitë. Duke injoruar paralajmërimet e tij për rryma të forta, dy nga izraelitët u hodhën në ujë, por u përballën me rrezik mbytjeje .
Jelekët e shpëtimit, përfshirë edhe atë të Anamalit, iu hodhën të dyve, por pa sukses.
Në një përpjekje për t’i afruar ata me varkën, Anamali u hodh vetë në ujë. Ai ia doli t’i ndihmonte izraelitët të ktheheshin në anije përpara se të zhdukej nën ujë.
Pas pothuajse 48 orësh kërkimesh, trupi i Anamalit u gjet.
Besohet se Anamali pësoi një arrest kardiak si pasojë e lodhjes fizike dhe përpjekjeve ekstreme pas shpëtimit. Trupi i tij u transferua në spitalin rajonal të Shkodrës për ekzaminime të mëtejshme.
Anamali lë pas dy fëmijë.
‘Martir i Kombit’
Anamali është nderuar pas vdekjes nga qeveria shqiptare si “Martir i Kombit”, një nga nderimet më të larta të Shqipërisë për ata që humbasin jetën gjatë akteve të trimërisë.
Një ceremoni zyrtare përkujtimore pritet të mbahet në ditët në vijim”, thuhet në artikull.






