spot_img
Wednesday, December 17, 2025
spot_img

Hija e Wagnerit dhe shërbimet ruse në veprim: 007-ta të rinj për të sabotuar Evropën!

Një rast emblemë i luftës hibride ruse dhe metodave gjithnjë e më të sofistikuara që Kremlini po përdor për të destabilizuar zemrën e Europës është ai i gjashtë qytetarëve britanikë të dënuar për shërbim ndaj grupit famëkeq Wagner, milicia paramilitare e lidhur me regjimin e Vladimir Putin, dikur e drejtuar nga Evgeny Prigozhin, e njohur për brutalitetin e saj në konfliktet nga Ukraina në Sahel.

Qeliza britanike e Wagner-it

Rasti, i zbuluar dje në Londër, tregon se si Moska po rekruton të rinj kriminelë të rrugës përmes propagandës digjitale dhe mjeteve të komunikimit të enkriptuar për të kryer akte sabotimi në territorin europian. Në krye të qelizës britanike ishte Dylan Earl, 20 vjeç, i konvertuar në kauzën pro-ruse përmes kanaleve Telegram të Wagner-it, i gatshëm të godasë objektiva strategjike në Londër. Earl mburrej se mund të krijonte një “lidhje” mes Wagner-it, IRA-s dhe kartelit kriminal irlandez Kinahan.

Në qendër të hetimit ndodhet zjarrvënia e qëllimshme e një magazine në Leyton, në lindje të Londrës, në marsin e kaluar. Brenda ndërtesës ndodheshin ndihma humanitare për Ukrainën dhe komponentë kritikë të sistemit satelitor Starlink që përdoret nga ushtria ukrainase në vijën e frontit. Sulmi, që shkaktoi një milion paund dëm ekonomik, u filmua në transmetim të drejtpërdrejtë nga vetë autorët për rrjetin e tyre të sabotatorëve. Autorët e drejtpërdrejtë të sulmit ishin tre të rinj londinezë me të kaluar kriminale për shpërndarje droge dhe vjedhje: Nii Mensah (23 vjeç), Jakeem Rose (23) dhe Ugnius Asmena (20). Policia i identifikoi falë kamerave të sigurisë, gjurmimit të celularëve dhe një thike të humbur gjatë arratisjes, që përmbante ADN-në e Rose.

Kanali “Grey Zone” si “terren gjuetie” për Wagner-in

Portreti i vërtetë i operacionit del në dritë përmes përfshirjes së tre personave të tjerë: Dylan Earl, Jake Reeves (23 vjeç) dhe Ashton Evans (20). Earl, i njohur në rrjet si “Baba Yaga”, ishte ura lidhëse mes punëtorisë lokale dhe interesave strategjike ruse.

I përfshirë në trafikun e drogës në rrjetet “county lines” në Leicestershire, Earl u radikalizua në forumet pro-ruse në Telegram, ku kontaktoi me kanalin “Grey Zone” – një prej mjeteve kryesore propagandistike të Wagner-it me mbi 500 mijë ndjekës. Këtu ai mori udhëzime operative nga një entitet i quajtur “Privet Bot”, që e udhëzonte hap pas hapi në atë që quhej një “fushatë sabotimi” në territor britanik.

Atij iu kërkua të vëzhgonte, fotografonte dhe raportonte për disa objekte, mes tyre edhe dy magazina të drejtuara nga sipërmarrësi britaniko-ukrainas Mikhail Boikov, prej nga dërgoheshin rregullisht ndihma për Kievin. Earl, me përkushtim, i betohet besnikërisë ndaj Wagner-it dhe merr pseudonimin “Sas” – një homazh për forcat speciale britanike.

“Manuali” operacional që iu dha përfshinte edhe shikimin e serialit ‘The Americans’, që trajton spiunë sovjetikë të infiltruar gjatë Luftës së Ftohtë. Qëllimi ishte të ripërsëriteshin ato skema në Londrën e shekullit XXI, përmes mesazheve të koduara, kontakteve virtuale dhe sulmeve të drejtpërdrejta ndaj objektivave ukrainase dhe kundërshtarëve të regjimit rus.

Ndër planet e dështuara ishin edhe zjarrvënia e dy restoranteve luksoze në Mayfair dhe rrëmbimi i Evgeny Chichvarkin, miliarderi disident rus që jeton në Londër, themelues i gjigandit Euroset dhe i shpallur “armik i shtetit” nga Moska. Hetuesit arritën të parandalojnë sulmet dhe të arrestojnë të gjithë anëtarët e qelizës. Reeves, pastrues në aeroportin Gatwick, dhe Evans, i akuzuar për mosraportim të aktiviteteve terroriste ndonëse ishte në dijeni, përbënin pjesën tjetër të grupit. Autoritetet i kanë ngritur akuza sipas Ligjit të ri për Sigurinë Kombëtare të miratuar në vitin 2023 – një ligj i konceptuar për t’u përballur me kërcënimet hibride nga shtete armiqësore.

Raste të tjera të dyshimta në Europë

Rasti britanik nuk është i izoluar. Sipas Associated Press, të paktën 70 tentativa sabotimi të lidhura me Rusinë janë dokumentuar në Europë që nga fundi i vitit 2022, shpesh me përfshirje të kriminelëve lokalë të rekrutuar online. Në Poloni, në Wrocław, një qytetar ukrainas u arrestua në janar 2024 teksa tentonte të digjte një fabrikë bojërash, dyshohet se vepronte me urdhër direkt nga GRU-ja. Po në janar, një magazinë IKEA në Vilnius të Lituanisë u dogj në rrethana të dyshimta.

Në korrik 2024, tre pako bombë të dërguara nga Lituania goditën Birmingham-in, Leipzig-un dhe një qendër logjistike pranë Varshavës. Në të gjitha rastet, autoritetet dyshojnë për përfshirjen e qelizave të rekrutuara përmes kanaleve ruse në Telegram, të kontrolluara nga oficerë të inteligjencës ushtarake ruse, përfshirë kolonelin Denis Smolyaninov.

Në Estoni dhe Suedi, sabotimet në linjat hekurudhore janë atribuar aktorëve lokalë, pjesë e një strategjie më të gjerë për të destabilizuar infrastrukturën europiane. Në Mbretërinë e Bashkuar, tre qytetarë bullgarë u gjykuan në vitin 2023 për spiunazh, me akuza që përfshinin shantazh, mbledhje informacioni dhe ndjekje të disidentëve rusë.

Burime të inteligjencës perëndimore konfirmojnë se kjo skemë operacionale përfaqëson një evolucion të qartë krahasuar me veprimet e mëparshme të GRU-së – siç ishte helmimi i ish-spiunit Sergei Skripal në Salisbury në vitin 2018.

Sot, si pasojë e izolimit diplomatik dhe kufizimeve të udhëtimit, Moska preferon rekrutimin e “freelancer-ëve” përmes internetit. Strategjia është e qartë: destabilizimi i Europës përmes kaosit, frikës dhe dezinformimit, duke përdorur fuqi punëtore lokale të largët dhe të zëvendësueshme.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit