Izraeli “u përpoq të më vriste”, thotë presidenti iranian Masoud Pezeshkian, në një intervistë me gazetarin amerikan Tucker Carlson .
“Sigurisht, nuk janë Shtetet e Bashkuara që qëndrojnë pas sulmit, por Izraeli”, theksoi presidenti, duke shtuar “isha në një takim, po diskutonim se si të vazhdonim, ata u përpoqën të bombardonin zonën ku po zhvillohej takimi”.
Pezeshkian më pas tha se është gati të japë jetën, të derdhë gjakun e tij për vendin.
“Askush këtu, dua të them asnjë zyrtar qeveritar, nuk ka frikë të humbasë jetën e tij në emër të mbrojtjes. Por a do të sjellë e gjithë kjo siguri në rajon? Dua të them, gjakderdhja, më shumë vrasje e atentate, a do të sjellin vërtet paqe, qetësi dhe stabilitet në rajon?”, tha Presidenti iranian.
Për Iranin, “është fetarisht e ndaluar të synosh bombën atomike”, shpjegoi presidenti iranian.
“Që nga viti 1984, Netanyahu ka krijuar këtë narrativë të rreme se Irani po kërkon një bombë bërthamore”, tha Pezeshkian, duke shtuar “ai ka lënë të kuptohet në të kaluarën se Irani po kërkon një armë bërthamore, dhe ai e ka mbjellë këtë besim në mendjet e çdo presidenti të Shteteve të Bashkuara, duke i bërë ata të besojnë se ne duam një bombë bërthamore”.
Sipas presidentit, “e vërteta është se ne kurrë nuk kemi kërkuar të zhvillojmë një armë bërthamore, as në të kaluarën, as tani dhe as në të ardhmen, sepse kjo do të ishte e gabuar dhe do të ishte në kundërshtim me fenë”.
“Kjo është konfirmuar gjithmonë përmes bashkëpunimit tonë me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, e cila gjithmonë ka qenë në gjendje të verifikojë dhe të provojë se ne kurrë nuk kemi pasur ndërmend të pajisim një armë bërthamore. Fatkeqësisht, ky bashkëpunim është minuar nga sulmet e paligjshme ndaj objekteve tona bërthamore”, tha Pezeshkian.
Në vijim ai u shpreh se “Irani nuk sheh asnjë problem me rifillimin e negociatave bërthamore me Shtetet e Bashkuara”.
“Ne ishim ulur në tryezë kur Izraeli na sulmoi dhe ata e shkatërruan plotësisht diplomacinë”, shtoi ai.
Lidhur me rolin e Donald Trump, Peshkazian tha se Presidenti i Shteteve të Bashkuara mund ta udhëheqë rajonin dhe Botën drejt paqes dhe qetësisë ose, përkundrazi, t’i çojë ato në luftëra të pafundme.
“Propozimi im është që administrata amerikane të përmbahet nga përfshirja në një luftë që nuk është lufta e saj. Është lufta e Netanyahut me planet e tij djallëzore për të gjithë rajonin”, theksoi ai.






