Qeveria gjermane po shqyrton mundësinë që të blejë sisteme Patriot nga Shtetet e Bashkuara dhe t’ia dorëzojë ato Ukrainës, si pjesë e përpjekjeve për të mbushur boshllëkun e krijuar në mbrojtjen ajrore të këtij vendi.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane konfirmoi për agjencinë Reuters se kjo është një nga opsionet që është në diskutim: “Ekzistojnë mënyra të ndryshme për të plotësuar boshllëkun e sistemeve Patriot për Ukrainën.”
Sipas tij, po zhvillohen bisedime intensive me partnerët ndërkombëtarë për të garantuar që Ukraina të mos mbetet e pambrojtur në një moment vendimtar për mbrojtjen e hapësirës së saj ajrore.
Këto diskutime vijnë në një kohë kur SHBA ka pezulluar përkohësisht dërgesat e disa llojeve të armëve drejt Ukrainës, përfshirë sistemet Patriot, duke rritur nevojën për ndërhyrje nga vendet aleate evropiane.








