Italia po përballet me një valë ekstreme të të nxehtit, e cila po shkakton pasoja serioze në disa qytete të vendit. Temperaturat rekord kanë detyruar shërbimet e emergjencës të ndërhyjnë në dhjetëra raste, teksa numri i vizitave është rritur deri në 20%, kryesisht nga të moshuar dhe persona me sëmundje kronike.
Një ngjarje tragjike u regjistrua në Bagheria, pranë Palermos, ku një grua 53-vjeçare me probleme kardiake humbi jetën në vend pasi u rrëzua në trotuar për shkak të vapës.
Në Vicenza, dy punëtorë që ndodheshin brenda një cisterne alumini u rrëzuan pa ndjenja nga avujt e dendur dhe temperaturat ekstreme. Njëri prej tyre është në gjendje kome dhe i intubuar në spitalin e Bassano del Grappa. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:30, ndërsa në vend intervenuan karabinierët dhe ekipet e emergjencës.
Raste të ngjashme janë regjistruar edhe në Milano. Një turiste 66-vjeçare nga Shanghai pësoi gjendje të fikëti për shkak të dehidratimit dhe nxehtësisë teksa po vizitonte Terrazën e Duomos me të birin dhe nipin. Ajo u ndihmua në kohë nga zjarrfikësit dhe personeli mjekësor.
Për shkak të temperaturave përvëluese, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje për kujdes të shtuar, sidomos për grupet më të cenueshme. Rekomandimet përfshijnë qëndrimin larg diellit gjatë orëve të pikut, freskimin e ambientit dhe konsumimin e mjaftueshëm të lëngjeve.






