Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha sot se mund të shqyrtojë mundësinë e deportimit të Elon Musk, pasi miliarderi kritikoi ashpër projektligjin kryesor të shpenzimeve të administratës së tij.
Trump theksoi gjithashtu se Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), të cilin Musk e drejtoi para se të jepte dorëheqjen në fund të majit, mund të përqendrohet në subvencionet qeveritare për të, duke përfshirë edhe ato për Tesla dhe SpaceX.
“Nuk e di. Do të duhet ta shqyrtojmë,” tha Trump kur u pyet nga gazetarët në Shtëpinë e Bardhë nëse do të shqyrtonte mundësinë e deportimit të Musk.
“Ndoshta duhet ta vendosim DOGE-n te Eloni. E dini çfarë është DOGE? DOGE është përbindëshi që mund të duhet të kthehet dhe ta hajë Elonin,” shtoi Trump.
Kërcënimi u përforcua kur presidenti tha se besonte se Musk po sulmonte projektligjin e tij të shpenzimeve, i njohur si “Një Projektligj i Madh dhe i Bukur”, për shkak të pakënaqësisë që ai kishte për heqjen e masave të mbështetjes për automjetet elektrike.
“Ai po e humb mandatin e tij për veturat elektrike. Është shumë i mërzitur për gjërat, por e dini, ai mund të humbë shumë më tepër se kaq, mund t’ju them tani. Eloni mund të humbë shumë më tepër se kaq,” shtoi Trump.






