Udhëheqësi iranian, Ajatollah Ali Khamenei, “ka vendosur që pasardhësi i tij si përfaqësues i Zotit në tokë, udhëheqës i komunitetit shiit dhe udhëheqës suprem i Republikës Islamike, do të jetë djali i tij, Mojtaba Khamenei”.
Ky vendim i Liderit Suprem të Iranit u njoftua nga agjencia e inteligjencës izraelite Mossad në një mesazh në llogarinë “X”, duke e quajtur Ali Khamenei një “udhëheqës të sëmurë dhe të rraskapitur”.
“I njëjti udhëheqës që kundërshtoi monarkinë dhe transferimin e pushtetit nga babai te djali tani ia ka transferuar pushtetin të birit”, thotë Mossad, duke shtuar se “tani që jua kemi zbuluar këtë vendim juve, shikuesve tanë besnikë, ndoshta udhëheqësi i sëmurë do të ndryshojë mendje. Le të presim dhe të shohim”.
Më 21 qershor, gazeta amerikane “Neë York Times”, duke cituar burime zyrtare iraniane, raportoi se Khamenei kishte zgjedhur tre klerikë të lartë si pasardhës të mundshëm në rast të vrasjes së tij. Gjatë luftës 12-ditore midis Izraelit dhe Iranit, e cila përfundoi më 24 qershor me një armëpushim të shpallur nga Shtetet e Bashkuara, Khamenei u strehua në një bunker për t’u mbrojtur nga sulmet izraelite dhe thuhet se pezulloi të gjitha komunikimet elektronike, duke komunikuar vetëm përmes një ndërmjetësi.
🔊
Sipas asaj që u raportua nga “Neë York Times”, udhëheqësi suprem iranian e ka udhëzuar Asamblenë e Ekspertëve që të vazhdojë shpejt me emërimin e pasardhësit, duke zgjedhur midis tre emrave të treguar, në mënyrë që të garantojë një tranzicion të rregullt dhe të ruajë stabilitetin e regjimit.
Ndryshe nga ajo që u raportua sot nga Mossadi, djali i tij Mojtaba nuk ishte në listë.






