Autoritetet franceze kanë lëshuar një urdhër emergjent për tërheqjen nga qarkullimi të 2.5 milionë automjeteve të pajisura me airbag të prodhuar nga kompania japoneze “Takata”, pas një incidenti fatal që ndodhi në qytetin Reims në fillim të këtij muaji.
Një grua 37-vjeçare, që po drejtonte një Citroën C3, humbi jetën pasi një pjesë metalike shpërtheu nga airbag-u gjatë një përplasjeje të vogël, duke e goditur për vdekje. Ngjarja ka ringjallur frikën për defektin e njohur në pajisjet e Takata-s, një skandal global që ka zgjatur mbi dy dekada.
Sipas Ministrisë franceze të Transportit, veturat e pajisura me airbag Takata duhet të ndalohen menjëherë nga përdorimi derisa të bëhet zëvendësimi i komponentëve të rrezikshëm. Bëhet fjalë për modele të ndryshme nga prodhues si Citroën, Peugeot, Renault, Toyota dhe Nissan.
Skandali i Takata-s është konsideruar një nga më të mëdhenjtë në industrinë automobilistike globale. Deri më tani, rreth 100 milionë automjete janë tërhequr në gjithë botën dhe të paktën 35 jetë njerëzish janë humbur si pasojë e shpërthimeve fatale të airbag-ëve, të cilët përmbajnë një substancë kimike që degradohet me kalimin e kohës dhe në kushte lagështie, duke shkaktuar shpërthime të pakontrolluara.
Autoritetet franceze i kanë bërë thirrje qytetarëve që të verifikojnë menjëherë nëse automjeti i tyre është i prekur, ndërsa prodhuesit janë urdhëruar të nisin procesin e zëvendësimit pa kosto për konsumatorët.






