Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, njoftoi se është duke u zhvilluar një hetim për atë se kush i ka publikuar gjetjet paraprake të inteligjencës, sipas të cilave sulmet amerikane ndaj objekteve bërthamore në Iran vetëm sa e kanë penguar programin bërthamor të Teheranit me muaj të tërë.
Hegseth, ndërsa Trump u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte në samitin në Hagë, tha se “sigurisht” qeveria po niste një hetim mbi rrjedhjen e informacionit dhe njoftoi se kishin filluar diskutimet me FBI-në, sipas Associated Press.
Duhet theksuar se Hegseth, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Donald Trump këmbëngulën se sulmet çuan në “asgjësim të plotë dhe absolut”.
“Ata që e kanë publikuar këtë informacion janë tradhtarë profesionistë”, tha Rubio. “Kaq është”, shtoi ai.
Sulmet ushtarake amerikane ndaj tre prej objekteve bërthamore të Iranit fundjavën e kaluar mund të jenë një “fiasco”.
Burime ekskluzive për median amerikane CNN, bëjnë me dije se sulmet me B-2 amerikan, nuk shkatërruan komponentët kryesorë të programit bërthamor të vendit dhe me shumë gjasa vetëm e vonuan atë me muaj.
Informacionet vijnë të detajuara nga agjencia e inteligjencës amerikane.
Vlerësimi, i cili nuk është raportuar më parë, u prodhua nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes, krahu i inteligjencës së Pentagonit. Ai bazohet në një vlerësim të dëmeve të betejës të kryer nga Komanda Qendrore e SHBA-së pas sulmeve amerikane, tha një nga burimet për CNN.
Analiza e dëmit në vendet dhe ndikimi i sulmeve në ambiciet bërthamore të Iranit është duke vazhduar dhe mund të ndryshojë ndërsa bëhen të disponueshme më shumë të dhëna inteligjence. Por, gjetjet e hershme janë në kundërshtim me pretendimet e përsëritura të Presidentit Donald Trump se sulmet “shkatërruan plotësisht” impiantet e pasurimit bërthamor të Iranit. Dy nga personat e njohur me vlerësimin thanë se rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit nuk u shkatërruan. Njëri nga personat tha se centrifugat janë kryesisht “të paprekura”.
Shtëpia e Bardhë pranoi ekzistencën e vlerësimit, por tha se nuk ishte dakord me të. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, i tha CNN-së në një deklaratë: “Ky vlerësim i supozuar është krejtësisht i gabuar dhe u klasifikua si ‘sekretiti më i lartë’, por prapëseprapë iu zbulua CNN nga një humbës anonim i nivelit të ulët në komunitetin e inteligjencës.
Ndikimi në të tre vendet – Fordow, Natanz dhe Isfahan – u kufizua kryesisht në strukturat mbitokësore, të cilat u dëmtuan rëndë, thanë burimet. Kjo përfshin infrastrukturën e energjisë së vendeve dhe disa nga objektet mbitokësore të përdorura për të shndërruar uraniumin në metal për prodhimin e bombave.
Zyrtarët amerikanë besojnë se Irani gjithashtu mban objekte të fshehta bërthamore që nuk u shënjestruan në sulm dhe mbeten funksionale, sipas dy burimeve të njohura me çështjen.






